Protestuesit dolën dje në rrugët e kryeqytetit të Serbisë, Beograd, për të kundërshtuar kufizimet që po e bëjnë më të vështirë votimin e serbëve që jetojnë jashtë vendit, në prag të zgjedhjeve të rëndësishme parlamentare që do të zhvillohen më vonë këtë muaj.
Më shumë se 1 000 persona u mblodhën para Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK).
Protestuesit kërkuan që komisioni të ndryshojë vendimet që vështirësojnë votimin për serbët që jetojnë jashtë Serbisë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit do të përballin një lëvizje opozitare të udhëhequr nga studentët me partinë në pushtet, Partinë Përparimtare Serbe (SNS), të ish-presidentit Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç dhe SNS kanë dominuar politikën serbe që nga viti 2012.
Më shumë se 100 000 serbë që jetojnë jashtë vendit, janë regjistruar për të votuar në këto zgjedhje. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, në vitin 2023, ishin regjistruar rreth 40 000 serbë.
Komisioni zgjedhor ndryshoi në fillim të kësaj jave, vendet ku do të zhvillohet votimi jashtë Serbisë.
Këto qendra votimi ndodhen kryesisht në ambasadat dhe konsullatat serbe në vende të ndryshme.
Ndryshimi ka bërë që disa votues që jetojnë jashtë Serbisë, të udhëtojnë në distanca shumë më të mëdha për të votuar.
Për më tepër, rregullat e reja përcaktojnë që qendrat e votimit jashtë vendit duhet të funksionojnë sipas orarit të Serbisë, dhe jo sipas orës lokale të vendeve ku ata ndodhen.
Kjo do të thotë se disa serbë që jetojnë në vende me diferencë të madhe orare, si Australia, mund të detyrohen të votojnë gjatë natës, sipas orës lokale.
Komisioni zgjedhor, i cili dominohet nga persona të afërt me SNS-në, tha se këto ndryshime janë bërë në bazë të rekomandimeve të Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Aleksandar Vuçiç dha dorëheqjen nga posti i presidentit muajin e kaluar, në mënyrë që të drejtojë SNS-në, në zgjedhjet e ardhshme. Ai synon të bëhet kryeministër i Serbisë pas zgjedhjeve.
Lëvizja studentore e opozitës u krijua pas protestave mbarëkombëtare që nisën pas shembjes së një pjese të çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024.
Nga shembja humbën jetën 16 persona. Kritikët e qeverisë e lidhën tragjedinë me neglizhencën e autoriteteve dhe korrupsionin.
Ngjarja shkaktoi muaj të tërë protestash masive në të gjithë Serbinë.
