Kryeministrja britanike, Theresa May, vendosi të shtyjë votimin e negociatave për marrëveshjen e largimit nga Bashkimi Evropian, që ishte arritur me Brukselin gjatë muajit nëntor.

Kryeministrja May u tha deputetëve se çështja e kufiri irlandez ishte çështja me e diskutueshme rreth marrëveshjes për të cilën ajo nuk ka votat e mjaftueshme.

Parlamenti pritej të votonte të martën, nëse e pranon marrëveshjen që kryeministrja May e ka arritur me Bashkimin Evropian, për largimin e Britanisë nga blloku.

Shtyrja e votimit ndodhi pak orë pasi që Gjykata Evropiane e Drejtësisë, tha të hënën se Mbretëria e Bashkuara mund të anulojë njëanshëm BREXIT-in, duke shtuar shpresat e pro evropianëve para votimeve në parlamentin britanik për marrëveshjen e kryeministres Theresa May, për largimin nga Bashkimi Evropian.

Vetëm 36 orë para votimit të së martës, Gjykata tha se Londra mund të tërheqë njëanshëm dhe pa dënime artikullin e 50 për largimin nga BE-ja.

“Mbretëria e Bashkuar është e lirë të anulojë në mënyrë të njëanshme njoftimin për qëllimin e saj për t’u tërhequr nga BE-ja “, thuhet në vendimin e gjykatës.

“Një anulim i tillë, i vendosur në përputhje me kërkesat e kushtetuese, kombëtare, do të kishte efektin që Mbretëria e Bashkuar të mbetet në BE nën kushte të pandryshuara”, shkruan voa.

E ardhmja e BREXIT-it mbetet thellësisht e pasigurt pasi dhjetëra ligjvënës janë zotuar publikisht të votojnë kundër marrëveshjes së kryeministres May.

Në referendumin e 23 qershorit të vitit 2016, 17.4 milionë votues apo 52 për qind, mbështetën BREXIT-in, ndërsa 16.1 milionë apo 48 për qind votuan për të mbetur pjesë e bllokut.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: