* Këshilli i emërimeve në drejtësi, situatë kontradiktore
* Duam të shohim sa më parë para ligjit politikanët e korruptuar dhe të sekuestrohen pasuritë e tyre

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një konferencë për shtyp bëri një deklaratë të fortë për sa i përket reformës në drejtësi, e cila siç duket ka “ngecur”, pasi duket se nuk janë llogaritur mirë afatet.

Kreu i Shtetit bëri me dije se amendamentet e reja kushtetuese hyjnë në fuqi më 11 gusht. Në këtë mënyrë, duhet të krijohet Këshilli i Emërimit në Drejtësi (KED) deri më 16 gusht.

Presidenti i Republikës ka afat deri më 16 gusht që të propozojë 9 anëtarët e Këshillit të Emërimit të Gjyqtarëvë.

“Neni 149/d, përcakton në pikën 3 që Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë që zgjidhen me short nga Presidenti brenda pesë ditësh nga hyrja në fuqim, ndërsa pika 5 përcakton që kriteret e tjera për shkallën e kualifikikmit të kandidatëve parashikohen me ligj. Pra Presidenti ndodhet në një situatë kur Kushtetua i kërkon të zgjedhë dhe po Kushteuta i kërkon që kriteret e atyre që kandidojnë përcaktohen me ligj, ndërkohë që nuk kemi ligj ende për këtë”, tha Nishani.

Në këtë mënyrë, Presidenti i Republikës nuk mund ta ushtrojë dot funksionin e tij për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Emërimëve për Gjyqësorin, pasi nuk ka të përcaktuara me ligj kriteret që gjenden në paketën e 7 ligjeve që ende nuk janë miratuar.

Por, edhe po të votohen në seancën më të afërt, do të duhen 15 ditë që të hyjnë në fuqi, çka e tejkalon datën 16 gusht që përcakton Kushtetuta për ushtrimin e detyrës së Presidentit të Republikës.

“Kam parashikuar që në kuadër të përpjekjeve dhe angazhimeve të ftoj për një takim konsultativ përfaqësues nga grupet parlamentare të Kuvendit për të diskutuar brenda këtij qëllimi qasjen më të mirë zgjidhjen më të përshtatshme si dhe me ekspertë të drejtësisë”.

“Jemi në një situatë kontradiktore”,- tha ai.

Në rast se ky afat tejlalohet, atëherë i takon Kuvendit kompetenca për ngritjen e institucionit në fjalë, sqaroi më tej kreu i shtetit për mediat.

Kryetari i Kuvendit do të ketë plot 10 ditë afat për ngritjen e institucionit dhe emërimin me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në gjyqësor.

Nishani tha se mbështet çdo hap dhe çdo vendim të Kuvendit, por sqaroi se edhe nëse ligji miratohet më 11 ose 12 gusht duhen edhe 15 ditë për të hyrë në fuqi.
“Unë mbështes çdo hap dhe çdo vendim që merr Kuvendi. Kjo është kompetencë e Kuvendit. Edhe nëse miratohet në 12 gusht, ligjit do t’i duhen 15 ditë për të hyrë në fuqi. Këto janë çështje që i zgjidh Kuvendi dhe jo Presidenti”, tha Presidenti.

Në lidhje me takimin me ekspertë dhe konstitucionalistë Nishani tha se do të jenë takime konsultative.
“Edhe në përputhje me axhendën unë do të realizoj disa takime. Këto takime kanë karakter konsultativ, ndërsa takimi me përfaqësues të grupeve parlamentare e kam kërkuar për të martën”, u shpreh ai.

Presidenti i Republikës theksoi se reforma në sistemin e drejtësisë një domosdoshmëri pa alternativë. Ai deklaroi se kjo reformë do të largojë të paaftët dhe të korruptuarit dhe se qytetarët presin që politikanët e korruptuar të dalin para ligjit sa më shpejt.

“Kam parë edhe kam këmbëngulur që procesi të përfundonte me konsensusin e të gjitha palëve. I kam vlerësuar të gjitha palët që ofruan kompromis dhe konsensus. Zbatimi i kësaj reforme afatgjatë dhe duhet të mbahet larg nga beteja politike. Ky proces do të sjellë një konsolidim më të madh të trupës gjyqësore dhe njerëzve profesionistë që janë brenda këtyre trupave. Do të shmangë dhe do të largojë të paaftët dhe të korruptuarit. Ajo që duam dhe që duan shqiptarët është që të shohim sa më parë para ligjit politikanë e korruptuar dhe sekuestrimin e pasurive të tyre. Këtë e duan shqiptarët. Presidenti i angazhuar për të denoncuar shmangien nga kushtetuta dhe integritetit ashtu edhe i denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe inkriminimit”, u shpreh Nishani.

Presidenti nuk ka folur për komunikimin që ka pasur me Kuvendin dhe kërkoi mirëkuptim, pasi ky komunikim siç tha ai vijon ende dhe preferon ta mbajë sa më institucional.

“Komunikimi me kuvendin nuk është konfidencial, por do të preferoja që të mos i bënim publike pasi komunikimi vijon dhe unë i kam ftuar në një takim. Në përfundim do të njoftoheni, është detyrim nga ana jonë dhe e drejtë e juaja. Por përderisa jemi në proces konsultash do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që të mos i bëjmë publike. Të gjitha amendamentet kushtetuese të kenë hapësirën e caktuar por janë edhe një sërë aktesh nënligjore”, u shpreh Nishani.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: