Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pasi Uashingtoni ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave iraniane në përgjigje të një sulmi ndaj një anijeje kontejnerësh në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas ushtrisë amerikane, sulmet u kryen pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit goditi një anije kontejnerësh me flamur të Qipros në korridorin strategjik detar. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se një anëtar civil i ekuipazhit rezulton i zhdukur, ndërsa anija ka pësuar dëme të rënda dhe nuk mund të vazhdojë lundrimin për shkak të një zjarri në bord dhe dëmtimeve në dhomën e motorëve.

Sipas CENTCOM, operacioni ushtarak amerikan u zhvillua me urdhër të presidentit Donald Trump, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të forcave iraniane.

Në të njëjtën kohë, autoritetet iraniane njoftuan mbylljen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit. Ky zhvillim ka shtuar shqetësimet për ndikimin që mund të ketë në sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb