NGA FATMIRA NIKOLLI*
Tabloja e Spiro Xegës “Çeta e Shahin Matrakut (1930), e ekspozuar për herë të parë në Galerinë Kombëtare në vitin 1957, është bërë objekt i një studimi të Profesor Gëzim Qendros, në librin me titull “Heronjtë janë të uritur”. Botimi, i cili del në librari ditën e hënë, hedh dritë mbi simbole të fshehura të tablosë, e informacione rreth personazhit të saj, i cili i lëvduar për shumë kohë si hero, del të ketë qenë kaçak.
Studimi i Gëzim Qendros
Fiksimi i tij për tablonë qe i hershëm, nisi në një moshë të hershme, siç e pranon edhe vetë studiuesi. “Asokohe si dymbëdhjetëvjeçar admiroja skrupolozitetin e pikturimit të vezullimit të dritës së hënës mbi gjethet e lisit, mbi bar apo mbi shkëmbinj, inventarin e kujdesshëm të stolive të kapedanit dhe të veshjeve të komitëve, apo dhënien e tipareve të personazheve, të realizuara me durim të veçantë.
Herët studimi qe nisur nga një vëzhgim i imët, ku Qendro vë re se në tablo, kapedani i çetës, Shahin Matraku qe ulur këmbëkryq në të njëjtën gunë me një tjetër. “Mbetej pa përgjigje pyetja se për ç’arsye, Shahini, kapedani i vetëm i çetës, duhej ta ndante gunën me dikë tjetër. Dihet se hierarkia e pashkruar dhe rregullat e rrepta brenda formacionesh të tilla, janë të paprekshme, sepse garantojnë autoritetin absolut të kapedanit, aq i domosdoshëm për kohezionin, mbijetesën dhe mirëfunksionimin e strukturave të tilla të jashtëligjshme, që gjithmonë rrezikonin të asgjësoheshin nga xhandarmëria turke”, thotë Qëndro, duke shtuar se qe fort e rëndësishme respektimi i ritualeve të grupit. Për këtë arsye, duhej medoemos që detaji i dy burrave mbi një gunë, të kishte një domethënie, aq më tepër që Spiro Xega nuk dukej si ndokush që mund të ulë dikë në një gunë pa ndonjë domethënie, “pa e varrë mendjen, dy heronj të pavarësisë, persona realë që me gjasa i njihte mirë”.
“Rënia e mitit”
Kur Qendro e pat humbur shpresën, se do të nxirrte në dritë faktin se çeta kishte dy kapedanë, mbas kërkimesh të shumta, gjen në Bibliotekën Kombëtare krejt papritur një libërth të pluhurosur: Gjerqasim Qiriazi “Rrëmbyer nga cubat”. Në të, përveçse rrëfehej kalvari i dhimbshëm i vuajtjeve që Gjerasimi(vëllai i motrave Qiriazi) kish hequr nga 12 nëntori 1884 deri më 25 prill 1885, kohë kur u mbajt peng nga çeta e Shahin Matrakut me kërcënimin se do vritej nëse nuk vinin paratë e kërkuara në këmbim, mësohet shumëçka edhe mbi vetë Matrakun. “Po ç’të jetë kjo? Me siguri diku do ish bërë ndonjë gabim. Prej tablosë, isha mësuar qysh nga adoleshenca e hershme ta shihja Shahinin dhe komitët e tij si luftëtarë të respektuar të pavarësisë dhe mbeta pa fjalë kur pashë se autori i cilësonte haptas cuba atë dhe shokët e tij. Madje qysh në titull”,-shkruan Gëzim Qendro. Për të, libri i Gjerasim Qiriazit, ishte një zbulim, sepse vinte në dyshim breroren e heroit të pavarësisë, e jo vetëm…Qiriazi zgjidhte edhe misterin e uljes së dy burrave për mbi gunë, kur jepte hierarkinë dhe përbërjen e bandës: Kapedanë-Shahin Matraku nga Popqishta; Leftenar Nuriu nga Bozhigradi. Qëndro mësoi pas hulumtimeve, se ndodhte shpesh që çeta drejtohej nga dy kapedanë në rastet kur banda qe e përzierë, pra ishte bashkim i dy bandave.
Dy kapedanë
“Pra, detaji i treguar nga Xega përkon plotësisht me të vërtetën historike! Çeta drejtohej vërtet nga dy kapedanë dhe paraqitja e tyre ulur mbi të njëjtën shtrojë lidhet pikërisht me këtë fakt. Por ka edhe më: Autori i librit rrëfen se Shahini përveç Leftenar Nuriut kishte edhe dy miq të ngushtë tepër të besuar me të cilët nuk ndahej, duke na sqaruar përfundimisht se katërshja e burrave të ulur në të majtë të tablosë janë Shahin Matraku, dhe Leftenar Nuriu (mbi shtrojë, përballë nesh), ndërsa me shpinë nga ne, Kajo Babjeni (djali i motrës së Matrakut) nga Gora dhe Tun Kokoneshi”, shkruan Qendro në botimin “Heronjtë janë të uritur” një studim kushtuar pikturës së Spiro Xegës “Çeta e Shahin Matrakut”, (1930, bojë vali mbi pëlhure, 108x130cm,© Galeria Kombëtare e Arteve).
Ndryshe nga ç’është shkruar rreth përmbajtjes patriotike të subjektit, Qendro mendon dhe argumenton se Xega ka pasur në mendje diçka më të zakonshme: Thjesht ngrënien e një darke, një copëz nga jeta e përditshme. “Përkundër artistëve romantikë, që zgjedhin subjekte të lidhura me përjetësinë, Xega si piktor realist, zgjedh një subjekt të lidhur me përditësinë e njerëzve të thjeshtë. Dihet”,- sqaron ai më tej, se “risia kryesore e artistëve realistë… ishte zgjedhja nga jeta e përditshme, e atyre momenteve që akademikët dhe estetët romantikë i quanin të padenja për vëmendjen e artistëve”. Megjithëse nuk e fsheh simpatinë për kaçakët, autori nuk bën asnjë përpjekje t’i mistifikojë apo t’i përlëvdojë, dhe sipas studiuesit Xega fut për herë ta parë në tablonë tonë historike, një përmasë të panjohur, përditësinë.
“Primo inter pares”
Konceptin “Primo inter pares”(I pari mes të barabartëve), Qendro e sheh në tablo dhe e lidh me faktin që subjekti i tablosë është ngrënia e darkës, si edhe me rrafshimin e hierarkisë së masës. “Primo inter pares”, është koncepti mbi të cilin ndërtohet marrëdhënia mes personazhesh të historisë. “Këtë përshtypje na e krijon organizimi thuajse simetrik i tablosë me dy grupe kaçakësh brendashkruar… Fakti që banda ka dy kapedanë theksohet edhe nga vendosja e kokave të Matrakut dhe Nuriut, në të njëjtin nivel horizontal. Të njëjtin funksion kryen edhe konfiguracioni i shkronjës M që formojnë dy figurat e krerëve të bandës, i cili e veçon dyshen, por pa trazuar demokracinë që përmban koncepti “primo inter pares”…”
Njohja e artistit me kaçakun
Sipas Gëzim Qendros, ka shumë të ngjarë që Spiro Xega ta dinte nga përvoja e drejtpërdrejtë zakonin e Shahinit që ndërsa piqej mishi në hell, ta kthente herë pas here faqoren(e rakisë) duke e shoqëruar me kukurec të cilin siç shihet në tablo po ia sjell një kaçak. “Piktori e ka njohur Shahin Matrakun në rininë e tij, kur ishte 20-25 vjeç dhe pas vrasjes së këtij të fundit, ruajti miqësi me të nipin, Kajo Babjenin, me të cilin kishte hyrje-dalje familjare”, citon në një burim Gëzim Qendro. Ai shton se mbajtja e trupit paksa të grefosur, festja e zezë në kokë dhe mjekra prej patriarku që nuk e ka as bashkëkapedani e as ndonjë komit tjetër, e bëjnë Matrakun të duket më autoritar se të tjerët.
Mundësia e njohjes së drejtpërdrejtë shtohet pasi ka përputhje në kohë e në hapësirë. “Autori i tablosë ka lindur në fshatin Llavdar të krahinës së Oparit, pikërisht në zonën e veprimit të bandës së Matrakut, i cili ishte nga një fshat aty pranë, Popqishta; edhe periudha kohore përputhet….Ka mundësi që peizazhi ku është vendosur skena e kompozimit të jetë pylli i Gavlishtit…Edhe vendlindja e piktorit është pikërisht në afërsi të këtij pylli…”.
Si u bënë kaçakët heronj
“Si ndodhi që dëshmia e vetme e sinqertë dhe e pakundërshtueshme në artin tonë pamor e dukurisë së kaçakëve, apo cubave, dukuri që lulëzoi në kuptimin e plotë të fjalës, në të gjitha territoret ballkanase, u kthye në tablo patriotike me luftëtarë të pavarësisë”, pyet Qendro në librin e tij studimor. Sipas tij historianë të ndryshëm përveç Shqipërisë e kanë studiuar këtë dukuri. Historiografia jonë ka heshtur për këtë pjesë që përmban sipas Qendros edhe luftën ndaj pushtuesit edhe grabitjen e mirëfilltë. “Nuk ishte politikisht korrekt që të flitej hapur për paudhësi të tilla si marrja peng, plaçkitja e karvanëve dhe udhëtarëve, dukuri që nuk përputheshim me imazhin e popullit tonë ‘trim, punëtor e liridashës’…. Ishte më e udhës që kaçakët e Shahin Matrakut të paraqiteshin si luftëtarë të pavarësisë kombëtare duke fshehur pas brerores së pamerituar të sakrificës për pavarësinë e atdheut, realitetin e zymtë të cubnisë”, shkruan Qendro. Sipas tij, pasojë e drejtpërdrejtë e këtij falsifikimi të qëllimshëm apo cektësie dhe nxitimi në gjykim ishte klasifikimi si romantike e tablosë së Xegës. Ai vë në dukje se kritika dhe historiografia zyrtare heshtën mbi librin e Gjerasim Qiriazit, i cili do të hidhte në kosh lavdërimet për Shahinin.
Dhe një detaj
Teksa vë në dukje se kaçakët e Xegës duken të pastër, Qendro shton se: “Xega tregon me saktësi detaje etnografike të veshjeve që përputhen me përshkrimet e veshjeve që autorët e huaj u bëjnë veshjeve të kleftëve grekë. Fustanellat e tyre përfshirë atë të Shahinit, kanë ngjyrën gri dhe jo të bardhën në hije. Është e paqartë nëse ngjyra lidhet me papastërtinë e kleftëve grekë apo me shpjegimin e etnografëve shqiptarë që fustanellat ngjyroseshin që të mos dalloheshin natën”.
Mbi realizmin
Sipas Qendros, tabloja e Xegës nuk mund të mos shihet sot si sfidë ndaj pikturës së realizmit socialist, e cila shihet subversive në përditësinë e nxjerrë jashtë ritualeve dhe kornizave politike të pushtetit totalitar.
Sipas një koncepti të ngulitur me zell gjatë periudhës së realizmit socialist, heronjtë nuk hanë, as nuk pinë(veçse ujë burimi), madje edhe atë në këmbë. Ata mund të tregohen duke qëlluar me armë armiqtë e tmerruar të rënë në pritë, duke hedhur shkëmbinj mbi kokë, duke rënë si engjëj të historisë, me krahë të kuq, në formë vetëtime mbi tanke, duke pastruar mitralozin për betejën e ardhme, duke shkruar poezi, duke folur para popullit, duke marshuar në dëborë ose duke kënduar para litarit.
Qëndro shënon se në të gjithë artin e realizmit socialist, nuk gjen qoftë edhe një personazh të vetëm pozitiv që kalon peshën ideale të trupit. Aty janë gjithnjë të përkorë në ngrënie e pa vese dhe në to nuk lejohej paraqitja e shumëçkaje që nuk gjendej në parajsën biblike…
Diku më poshtë, Qendro e krahason këtë tablo me atë “Rreth zjarrit” të Sali Shijakut ku paraqiten Enver Hoxha, Myslym Peza e Nexhmije Hoxha, ata nuk kanë as qengj në hell po as ndonjë patate në prush, pasi askush nuk duhet ta vrasë mendjen për banalitete të jetës së përditshme, “ata ia kanë ngulur sytë me vëmendje diktatorit të ardhshëm…”.
Përfundimi
“Ç’mund të themi në fund të këtij shkrimi? A arritëm të provojmë matricën realiste të kësaj tabloje? Mendoj se realizmi gati mimetik i tablosë, vëmendja skrupuloze ndaj detajeve të sakta realiste: ulja së bashku mbi një shtrojë e Shahinit me Leftenar Nuriun, paraqitja me besnikëri e hierarkisë së bandës, qengji në hell, zgjedhja e momentit të darkës, mungesa e emfazës romantike, elementet realiste si zgjedhja e personazheve kryesore të tablosë te një shtresë e përjashtuar e shoqërisë, marrëdhënia subjekt-trup, organizimi i hapësirës dhe përfshirja e figurave në të, modelimi dhe paraqitja e kujdesshme e figurave, janë padyshim elemente që provojnë matricën realiste të tablosë”. Ky është përfundimi i studimit të Gëzim Qendros në një libër që anipse shkencor, të mban mbërthyer.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
