Shtetet e Bashkuara kanë propozuar ish-shefin e korporatës Mastercard, Ajay Banga, që të drejtojë Bankën Botërore. Njoftimi u bë të enjten nga Presidenti Joe Biden. Ai vlerësoi eksperiencën e rëndësishme të zotit Banga përballë sfidave globale, përfshirë ato që lidhen me ndryshimet klimatike.

Njoftimi vjen pak ditë pasi presidenti i Bankës Botërore David Malpas, i emëruar gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump, njoftoi planet për largim në muajin qershor. Mandati i tij pesëvjeçar do të përfundonte prillin e vitit që vjen.

Trajtimi i ndikimit nga ndryshimet klimatike nga institucioni i përbërë nga 170 vende të botës përbën një përparësi kryesore për Shtetet e Bashkuara. Figura kryesore për klimën i kanë kërkuar administratës së Presidentit Biden që të shfrytëzojë largimin e hershëm të zotit Malpass si një mundësi për të reformuar institucionin e fuqishëm financiar, i cili është përballur me kritika në rritje lidhur me qasjen ndaj vendeve më pak të pasura dhe përpjekjeve për të adresuar ndryshimet klimatike.

Zoti Malpass u kritikua vitin e kaluar për shkak se gjatë një komenti u duk se po hidhte dyshime lidhur me kërkimet shkencore se djegia e lëndëve fosile shkakton ngrohjen globale. Ai kërkoi ndjesë më vonë, duke theksuar se banka vazhdimisht mbështetet tek kërkimet shkencore mbi klimën.

Zoti Banga, aktualisht drejtues i lartë në firmën private “General Atlantic”, ka më shumë se 30 vjet përvojë në biznes. Ai ka shërbyer në role të ndryshme në korporatën Mastercard dhe në bordet drejtuese të Kryqit të Kuq Amerikan, “Kraft Foods” dhe “Dow Inc”. Ai ka lindur në Indi dhe është kandidati i parë me origjinë indiane që pritet të drejtojë Bankën Botërore.

“Ajay ka një pervojë unike për të udhëhequr Bankën Botërore në këtë moment kritik të historisë”, tha Presidenti Biden në një deklaratë, duke shtuar se zoti Banga “ka përvojë kritike në mobilizimin e burimeve publiko-private për të trajtuar sfidat më urgjente të kohës sonë, përfshirë ndryshimet klimatike”.

Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, tha në një deklaratë se përvoja e zotit Banga do të ndihmojë në arritjen e objektivave të Bankës Botërore për eleminimin e varfërisë ekstreme dhe zgjerimin e mirëqenies së përbashkët, ndërsa ndërmerr veprime të duhura që institucioni të përmbushë qëllimet ambicioze për klimën dhe uljen e ndotjes.

I dërguari i Presidentit Bidenit për klimën, John Kerry, shkroi në rrjetin Twitter se zoti Banga ishte “zgjedhja e duhur”. Shefi i Bankës Botërore zgjidhet tradicionalisht nga Shtetet e Bashkuara ndërsa Evropa zgjedh kreun e Fondit Monetar Ndërkombëtar./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb