Kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, e ka quajtur shembjen e “Prestige Resort”, një sulm banditesk dhe hakmarrje.

Ai është shprehur se e gjitha e ka pasur nisjen tek fakti që grupi mediatik që përfshin, News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare nuk janë dorëzuar përballë presionit të qeverisë për të ndryshuar linjën editoriale dhe për të mos denoncuar aferat e kësaj mazhorance.

“Trishtimi është ndjesia e parë që të vjen kur sheh ato pamje. Shteti në vend të lehtësojë sipërmarrjen biznesin e qytetarët, i shemb me tritol. Ne që e shohim dhe e ndjejmë nga afër [presionin politik ndaj medias ku jetojmë e kemi të qartë se kjo është një hakmarrje e qeverisë ndaj mediave ku ne punojmë, për shkak të linjës editoriale që ndjekim. Kemi denoncuar aferat e kësaj qeverie, i kemi pasqyruar.

Ky është misioni ynë. Mediat janë avokat i popullit dhe publikut e nuk mund të mbyllim gojën sepse ndryshe tradhtojmë qytetarët.

Nëse do bëjmë kompromis me qeverinë për të mos denoncuar aferat, kemi tradhtuar audiencën e cila na mban dhe na mbështet në punën tonë. Ishte akt real banditesk, hakmarrës dhe pas shpine, pasi kishte një nxitim të tmerrshëm që të izolohej resorti e të niste puna me orar të zgjatur që shpërthimi të përfundonte para datës pesë, urdhër ky i drejtoreshës së IKMT dallëndyshe Bici, e cila ushtroi presion mbi punonjësit. Atje ishin organizuar edhe aktivitete nga OSBE apo OKB.
Nxitimi për shembjen, na është cënuar siguria juridike, pra nëse ke një shtëpi me tapi, shteti më lë në rrugë pa më lënë mundësinë ti drejtohem gjykatës për arbitraritetin. Kjo ka ndodhur këtë radhe.
Jemi në kushtet e arrogancës së pushtetit dhe mesazh për biznesin. Cili është ai sipërmarrës i huaj apo vendas të investojë në Shqipëri? Nëse do ta bëjë duhet të mos dalë kurrë kundër vijës editoriale të ERTV”, tha ai.

Zoti Lumezi ka bërë me dije se ka qenë në kontakt edhe me socialistë me peshë të cilët kanë deklaruar se janë kundër një akti të tillë madje, kanë shtuar se nëse do ta dinin që kryeministri Rama do të kishte degraduar deri në këtë gradë, nuk do ta mbështesnin që në fillim.

“Që nga e enjtja kam kontaktuar me socialistë të vjetër e të rinj dhe ka zëra të fortë të cilët e kundërshtojmë veprimin e IKMT me orientin të Ramës, e dënojnë por një asfiksi që ka ndodhur prej vitesh në PS që kur Rama mori pushtetin e plotë, mbyti çdo zë ndryshe apo mendim ndryshe edhe posë tezat e idetë e tij kalonin nga përtej të djathtës e së majtës, askush tjetër veç tij flet dot. Nuk ka më mbledhje grupi apo kryesie që të debatohet apo diskutohet gjithçka. Thjeshtë lexohen fjalime. Ka shumë socialistë edhe me peshë të indinjuar nga ky veprim dhe më kanë thënë që nëse do e dinin që do degradonte në këtë mënyrë nuk do ta kishin mbështetur që në fillim. E nisi me televizionin Agon Chanell, po e vijon me Focus Media Group dhe nuk e dimë ku do të ndalet.
Në fund janë shqiptarët që paguajnë. Rama shfrytëzon ministra e zyrtarë. Si në rastin e zonjës Bici të cilën e ka në dorë me një dosje. I shfrytëzon të nënshkruajnë.

E gjitha nuk është kapriço por strategji për të mbyllur zërat. Ai nuk e pranon kritikën. E tmerron kritika dhe nëse ka media kurajoze që denoncojnë aferat, ai hidhet në sulm të përqendruar për të dëmtuar ekonomikisht dhe shpreson që grupi të vihet në vështirësi ekonomike, ta mbyllë ta shesë median apo të ndryshojë linjën editoriale”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb