TIRANË- Pasi Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi dje se biznesmeni Altin Bamllari është vrarë ndërsa tentonte t’i ikte policisë dhe ka rënë në tokë, ka reaguar vetë pronari i picerive “Era”. Në një status në facebook, Bamllari ironizon MPB, duke thënë se ai është Suloja, (i “Lulëkuqeve mbi mure”) por nuk gjen dot se kush është i biri.

Ai denoncoi publikisht një ditë më parë dhunën e policisë që e kishte prangosur vetëm për një gjobë të papaguar të makinës. Por nga ana tjetër MPB tha se të dy kishin kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kishin ikur me vrap për t’i shpëtuar policisë.

Ja çfarë shkruan biznesmeni:
Mire unë jam Suloja, po im bir kush është?
Lexova neper portale lajmesh qe Ministria e Brendshme kishte dale me një deklarate shtypi për rastin tim dhe te tim biri. Deklarata thoshte qe ne u rrezuam ne vrapim e sipër për t’iu shmangur policisë dhe u lënduam nga gjuri.

Nuk doja fare te merresha me këtë histori, por pashe qe disa kane dyshime dhe doja vetëm t’iu kujtoja Sulon, personazhin e filmit “Lulëkuqe mbi mure”. Ashtu thane dhe për te: “Krisma nuk ka patur. Suloja ra nga avllia dhe vdiq”. Po mire, ja unë jam Suloja, po im bir kush është? Sepse shenja kemi te dy? Apo meqë jemi babë e bir ne rrezohemi njëkohësisht nga avllia se kështu do Ministria.

Dhe tjetra, ne u larguam sepse s’kishim bere asnjë gjë. Makinën qe deshën e lame aty. I kërkuam mirëkuptim policisë ne mënyrë qytetare dhe për te, por nuk e gjetëm. Çfarë duhet te bënim me shume? Te pranonim ç’i hipte ne koke qerosit? Unë i argumentoja qe ne gjendjen psikologjike te tim biri nuk është e drejte qe ai te drejtoje makinën drejt pikës se bllokimit, ai thoshte: Jo vetëm qe do ta sjelle ai, por do ta shoqëroj edhe ne komisariat. E pse? Po sikur im bir te bënte një aksident nen presion apo te pësonte diçka tjetër nga injoranca dhe egoja e qerosit, kush mbante përgjegjësi? Pse kështu funksionon policia? Dua unë dhe pike? Po ligji ku është? Apo te argumentosh, te arsyetosh do te thote te kundërshtosh?

Për me tepër u them njerëzve qe shumica e policeve aty, përveç nja dy servileve, mblidhnin buzët me masat ekstreme te shefit te tyre.

Ju siguroj, gjithashtu, qe nuk kam bere asnjë gjë jashtë etikes qytetare. Nëse mund te quhet gabim se i thashë qe sjellja jote i ngjan sjelljes se një fashisti, për këtë le te me dënojnë sa te duan.
Nëse është gabim qe kam mbrojtur djalin tim te pafjale për te mos provuar pa asnjë shkak birucën e komisariatit, le te me dënojnë edhe për këtë.

Kush mendon se jashtë shtetit policia te merr “gjak ne vetull” e ka gabim. Jashtë shtetit policia ka arsye, fatkeqësisht këtu te ne njeh vetëm dajakun.

Policia e Tiranes
Policia e Tiranës reagoi pas rastit të biznesmenit Altin Bamllari, që pretendon se është dhunuar bashkë me të birin nga forcat e rendit.

“Për sa i përket rastit në Tiranë, sqarojmë se në datën 26.06.2016, ka filluar procedimi penal për “Mosbindje të punonjësve të policisë” në ngarkim të shtetasve:
-A.B., 46 vjeç, banues në Tiranë.
-A. B., 22 vjeç, banues në Tiranë, djali i tij.

Këta dy shtetas në datën 26.06.2016, rreth orës 00.30 minuta në Bulevardin “Bajram Curri”, duke udhëtuar me mjetin me targë TR3884U, nuk i janë bindur shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore për të çuar mjetin në pikën e bllokimit.

Masa administrative e pashlyer prej afro 1 viti, ishte në vlerën 15.000 L (të reja) për mungesë siguracioni dhe sipas Kodit Rrugor automjeti duhet të bllokohet në pikë bllokimi deri në përfundim të procedurave.

Pas kundërshtimit të urdhrit për shoqërim të dhënë nga punonjësit e policisë, këta shtetas kanë braktisur makinën përballë ambasadës ruse dhe janë larguar me vrap në drejtim të Piramidës.

Gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, shtetasi A.B. është rrëzuar dhe ka pësuar dëmtime të lehta.

Policia ka bërë të mundur kapjen e tyre afër Piramidës dhe i ka shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve, këta shtetas janë proceduar penalisht për “Mosbindje të urdhërit të punonjësit të policisë”, parashikuar nga neni 242 i K.Penal.

SHÇBA vijon me verifikimin e veprimeve të punonjësve të policisë, në përfundim të të cilit do të marrë masat përkatëse.

Policia e Shtetit është e angazhuar t’i shërbejë publikut, duke kërkuar kontributin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari për të respektuar ligjin dhe rregullat,” thuhet në njoftimin zyrtar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: