Forcat izraelite kanë vijuar sulmet ajrore dhe bombardimet në Libanin jugor dhe në rajonin e Bejrutit, duke shkaktuar të paktën 17 viktima, sipas autoriteteve libaneze, pavarësisht armëpushimit që teorikisht mbetet në fuqi që prej 17 prillit.

Ushtria izraelite njoftoi se kishte kryer një “sulm të synuar” në zonën e Bejrutit. Sipas një burimi të ushtrisë libaneze, të cituar nga AFP, objektivi ishte një apartament në Sueifat, pranë periferive jugore të kryeqytetit, zonë e konsideruar bastion i Hezbollah.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit deklaroi se sulmi la të vrarë tre persona, mes tyre një grua, vajza e saj e vogël dhe një fëmijë sirian, ndërsa 15 të tjerë mbetën të plagosur.

Kjo është hera e dytë që një zonë pranë Bejrutit goditet që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, i cili në praktikë nuk ka ndalur përplasjet mes palëve.

Izraeli ka intensifikuar operacionet tokësore dhe ajrore ditët e fundit, duke deklaruar se tashmë konsideron si “zonë beteje” territorin nga kufiri deri te lumi Zahrani, rreth 40 kilometra në veri.

Hezbollah u bëri thirrje autoriteteve në Bejrut të tërhiqen nga bisedimet me Izraelin dhe mori përgjegjësinë për rreth 20 sulme, kryesisht me dronë, kundër forcave izraelite në jug.

Ushtria izraelite pretendon se rreth 2,500 anëtarë të Hezbollahut janë vrarë që nga fillimi i konfliktit të fundit, ndërsa autoritetet libaneze thonë se numri total i viktimave nga operacionet izraelite ka arritur në të paktën 3,324 persona.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb