DIBËR- Një sherr i nisur pas pijes mund të kishte përfunduar në tragjedi në Dibër. Dy të rinj janë konfliktuar me njeri-tjetrin pasi kishin pirë në lokalin e fshatit Sllovë. Në konflikt janë përfshirë edhe familjet e tyre dhe për pasojë është plagosur me sende të forta E. Çera 29 vjeç dhe me thikë B.B., 26 vjeç. Policia ka arrestuar 59-vjeçarin M.Çera, babai i 29-vjeçarit të përfshirë në konflikt me shtetasin me iniciale V.B., 26 vjeç. (foto ilustruese)

Policia e Dibrës ka ndërhyrë në kohë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti fizik.

NGJARJA

Më datën 21.01.2017, në një lokal në qendër të njësisë Adminisrative Sllovë Dibër, shtetasit V.B dhe E.Çera, pasi kanë konsumuar alkool me njëri-tjetrin, kanë nisur të konfliktohen fizikisht mes tyre.

Pasi janë larguar nga lokali dhe janë nisur për në drejtim të fshatit Trojak janë konfliktuar përsëri fizikisht me njëri- tjetrin dhe të dy kanë njoftuar familjarët e tyre.

Në konflikt janë përfshirë dy vëllezërit e shtetasit V.B, si dhe babai e vëllai i shtetasit E.Ç.

Gjatë konfliktit fizik shtetasi M. Çera 59 vjeç, babai i shtetasit E.Çera, ka plagosur me thikë shtetasin B.B, 26 vjeç, vëllain e shtetasit V.B.

Gjithashtu si pasojë e konfliktit fizik, është dëmtuar me sende të forta njëri nga protagonistët e konfliktit shtetasi E.Çera, 29 vjeç, i cili është dëmtuar nga shtetasi H.B, 24 vjeç, vëllai i protagonistit tjetër të konfliktit, shtetasit V.B., 27 vjeç.

Policia me të marrë njoftim ka ndërhyrë në kohë  duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti, ku dhe ka bërë shoqërimin e palëve në ambientet e Komisariatit të Policisë Dibër.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje” i shtetasit:

-M. Çera, 59 vjeç, lindur dhe banues në fshatin  Trojak-Sllovë-Dibër

Gjithashtu u referuan materialet në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, për shtetasin:

-H. B, 24 vjeç, lindur e banues në fshatin Trojak-Sllovë-Dibër.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të  ngjarjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: