Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me sherrin mes disa të rinjve, ku u tha se të përfshirë ishin dhe reperët Don Xhoni dhe Finemi, që ndodhi në kryeqytet.

Sherri i dhunshëm ndodhi më 13 nëntor të vitit të kaluar në kryqëzimin e rrugës “Xhanfize Keko”, ndërkohë që video e sherrit qarkulloi para dy ditësh në rrjetet sociale. Burime zyrtare bënë me dije se materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit Doris Senka, Matteo Petaj dhe Malvin Dogjoni, banues në Tiranë. Ata akuzohen se janë konfliktuar me shtetasit Gianluca Shkoza, Mateo Caka dhe Klejdi Degjoni, banues në Tiranë.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se konflikti ka ndodhur për shkak të një video humori Tik-Toku.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale më datë 09. 02.2021, për një konflikt midis dy shtetasve, pas verifikimeve të kryera nga punonjësit e Policisë të Komisariatit Nr. 4 ka rezultuar se këta shtetas nuk janë konfliktuar me njëri-tjetrin më datë 09.02.2021. Në vijim të veprimeve ka rezultuar se videoja e publikuar i përket datës 13.10.2020 dhe se pjesëmarrës në konflikt kanë qenë shtetasit D. S., M. P. dhe M. D., të cilët janë identifikuar nga pamjet filmike dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar një prej protagonistëve të këtij sherri, që në këtë rast është personi i dhunuar, që shfaqet në video ku disa djem të rinj i gjuajnë me shkelma dhe grushte. Bëhet fjalë për këngëtarin Santi, i cili përmes një video deklaron se është ai i përfshirë në videon e publikuar.

Në muajin Nëntor, Santi ka qenë i ftuar në programin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit, ku sipas tij, pasi është larguar nga emisioni i kanë zënë prit. Santi sqaroi se do të denonconte në polici të gjithë personat që e kanë dhunuar, ndërsa përjashton faktin se pjesë e sherrit ka qenë dhe Don Xhoni.

“Sapo jam larguar nga emisioni më kanë zënë pritë dy makina, pa dijeninë time, më kanë rrahur, nuk është turp, tek pullë me u rraf nga 10 veta sa ishin ata. Arsyeja që nuk kam reaguar është se nuk kam dashur të marr vëmendje, emër apo të bëhesha lajm. Të nesërmen më ka marrë vëllai dhe menaxheri i Finem për të tërhequr denoncimin. Këto kanë ndodhur për një video në Tik-Tok, arsyeja më banale. Denoncimin e kam tërhequr meqë e mbyllëm muhabetin dhe video nuk do dilte kurrë. Arsyeja që është postuar kjo video, është duke parë famën e Don Xhonit në çdo rrjet social, kanë dashur ta shfrytëzojnë për vëmendje. Më keni sqaruar 3 muaj përpara, por pabesisht, si jo burra. Sot po reagoj jo për vëmendje, por për një padrejtësi. Do ju ndjek penalisht që prej momentit që ka dalë video, kam fakte, mesazhe. Nëse doni vëmendje ua jap unë.”, tha ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: