TIRANE- Padyshim që këtë javë lajmi i parë në mediat online dhe rrjetet sociale ka qenë “sherri” midis pronares së televizionit “Vizion Plus”, Holta Dulaku dhe drejtores së revistës “Anabel”, Dalina Buzi, ku si palë e tretë u përfshi dhe pronarja e “Top Media”, Vjollca Hoxha. Gjithçka nisi nga një shkrim i gjatë në revistën që Dalina drejton, i cili vinte në dyshim korrektësinë e produksionit “Dancing With The Stars” me çmimin e fituesve të katër edicioneve të mëparshme. Në prag të finales së këtij viti, “Anabel” përshkroi finalet e viteve të shkuara duke shënuar se çdo fitues si Oni Pustina, Enver Petrovci apo Lori Hoxha nuk është shpërblyer siç duhet me çmimin e premtuar, me përjashtim të këngëtares Elvana Gjata. Veç kësaj “Anabel” vinte në dyshim nëse do e merrte apo jo fituesja e sivjetshme Tuna, apartamentin dhuratë nga produksioni i “Dancing”. Ky shkrim nuk i pëlqeu aspak producentes Holta Dulaku, e cila përmes një statusi të gjatë në rrjetin social “Facebook”, sulmoi gazetaren Dalina Buzi dhe sqaroi se vetë Lori Hoxha dhe nëna e saj Vjollca Hoxha nuk kanë dashur ta marrin apartamentin e ofruar dhuratë. “Mendova se lacllëku dhe garipllëku i Dalina Buzit do kishin kapur majën me atë hapësirën televizive që i jepet të dielave, ku guxon nxjerr edhe figurë edhe zë të vetes, pra të kësaj “gjëje” pa gjini që quhet Dalina Buzi, (se që ta quaj femër, fyej gjininë femërore), por qenkam gabuar shumë. Është edhe ky palo shkrim në këtë palo “gjë”, e bërë nga kjo “gjëja” gjithmonë, që vërteton se çfarë është në gjendje të bëjë kjo “gjëja” për pak vëmendje. E postova këtë shkrim për miqtë e mi Elvana Gjata, Oni Pustina dhe Enver Petrovci, se mbase nuk e kanë lexuar. Mendoj që janë fyer ata këtu, jo produksioni i ‘DWTHS’. Nuk dua të më mbrojnë, por po të ketë ndonjë gjë të vërtetë në këto që broçkullis kjo biba, ju lutem ta thonë. Përsa i përket apartamentit të Lori Hoxhës, po, e vërtete është që nuk e ka marrë. Apartamenti është aty, e pret Lorin të shkojë ta marrë kur të dojë, por mesa duket, Lori ose më saktë e ëma sulltaneshë e Lorit, e zënë nga impenjimet e shumta nuk ka pasur kohë të vijë të marrë çelësat e një apartamenti. Dhe në fakt, në vend që të llastohej Lori në atë apartament, më mirë mamaja ti jepte një të shitur, e të lante të paktën çerekun e lekëve që kanë harxhuar me detyrim punonjësit e “Top Channel”-it, në sms votimi për pronaren”, shkroi Holta Dulaku. Si kundërpërgjigje të këtij statusi, një tjetër deklaratë në “Facebook” dha vetë Lori Hoxha. “Në qoftë se ai apartament që fitova po më priska, do doja ta kisha marrë vesh ndryshe, jo me statuse “Facebook”-u, por nuk më është dhënë mundësia. Marrëveshja me producenten e “Dancing With The Stars” është bërë në një tavolinë dhe ashtu duhet të kishte mbaruar. Nga unë s’ka pasur asnjë shkelje kontrate e respekti, ndaj prisja të njëjtën gjë. Meqenëse zonja producente zgjodhi mënyrën më të shëmtuar, unë këtë nuk e bëj dot, por ja kam lënë në dorë avokatëve të familjes pasi shpifja dhe prishja e imazhit nuk janë të pranueshme me ligj”, shkroi Lori. Një reagim plot ironi dhe fare të shkurtër dha edhe gazetarja Dalina Buzi, e cila e ftoi publikisht zonjën Dulaku të merrte ilaçe për zemërimin e saj. Pas disa ditësh ‘hedhje-pritje’ në internet, pas mijëra leximesh e komentesh, ne të “Bluetooth” i kontaktuam të tria zonjat. Më poshtë mund të lexoni reagimin e secilës.
VJOLLCA HOXHA: S’MERREM ME “FACEBOOK”, ÇËSHTJEN LE TA ZGJIDHË GJYKATA
E kontaktuar nga “Bluetooth” pronarja e “Top Channel” Vjollca Hoxha deklaroi se rreth kësaj çështjeje nuk ka folur në media dhe nuk dëshiron të shprehet. “Unë nuk kam asgjë për të thënë. Nuk merrem me statuse “Facebook”-u, e as me mediatonline, çështjen me zonjën Holta Dulaku do
ta zgjidhë gjykata, çështja i ka kaluar tashmë në
dorë avokatit tonë”.
HOLTA DULAKU: S’HEQ ASNJË PRESJE NGA Ç’KAM THËNË, PADITA DALINA BUZIN
Pasi i kërkuam një reagim producentes Holta Dulaku lidhur me deklaratën e Lori Hoxhës, vajzës
së Dritan Hoxhës se do ta hedhë në gjyq, ajo na tha se nuk e dinte arsyen e kësaj padie. “Unë asaj që kam thënë nuk i heq asnjë presje dhe e ripostoj prapë atë që shkrova. Dalina Buzin ka tre ditë që e
kam hedhur unë në gjyq për shpifje. Ajo po që shpifi, jo unë”.
DALINA BUZI: S’MË INTERESON FARE E GJITHA, DO TË MARR NJË AVOKAT
“Nuk e di fare që qenkam paditur nga Holta Dulaku, tani po e marr vesh këtë gjë. Deri më tani nuk
më ka ardhur asnjë fletë padie. Tani po mendoj të marr një avokat që të më përfaqësojë. Nuk më intereson fare e gjithë kjo, është diçka larg fokusit tim. Do të prononcohem për këtë çështje kur të më
vijë fleta e gjyqit, më herët nuk kam se çfarë të them”.

(ma.ar/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb