Videoja e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka sjellë reagime të shumta nga politika në Kosovë. Në video të gjithë drejtuesit para Albin Kurtit cilësoheshin ‘shkatërrues të vendit’.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ndjehet i fyer nga video adresimi i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes të cilit partia në pushtet ka kritikuar partitë që dikur ishin në pushtet dhe liderët e tyre.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar skandaloze videon e LVV-së në të cilën ai është cilësuar si shkatërruesi i Kosovës.

“Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!”, ka shkruar Pacolli, .

Pacolli në postimin e tij ka numëruar kontributin e tij që ka dhënë për shtetin e Kosovës.

Postimi i plotë i Pacollit:
“E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?

– Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, ju jo.

– Unë kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjellur mbi 40 njohje, e ju, asnjë …

– Unë kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar.

– Unë kam ndihmuar e ndihmoj njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz.
– Unë kam ndërtuar dhe dhuruar universitete, shkolla, ndërtesa e shumëçka, e ju asgjë.

– Kam rindërtuar me shije, hapësirat në ndërtesat ku ju edhe sot punoni (Parlamentin, presidencën, ministrinë e punëve të jashtme e shumëçka, e ju jo që nuk i keni ndërtuar apo mirëmbajtur, por jeni përpjekur edhe ti shkatërroni.

– Sot shëroj me dhjetëra pacientë jashtë vendit dhe i financoj me dhjetëra studentë jashtë vendit e ju asnjë.

Është turp për ju! Këto dy vite Kosova po degradohet në çdo aspekt, infrastruktura, ambienti e çdo gjë tjetër që ka nevojë për dorën e njeriut të cilën ju nuk jeni në gjendje të jepni. Deri tani vetëm keni sharë e fyer e nëse vazhdoni kështu nuk di si do të duket Kosova…

Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!”, ka shkruar Pacolli.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një videoadresimi në Facebook, të hënën ka kritikuar opozitën, duke thënë se janë duke u rigrupuar në mënyra tjera pasi sipas tyre “nuk duan ta shohin Kosovën mirë”.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin”.

“Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër”, thuhet në mesazhin që përçon video e LVV-së e cila ilustrohet me disa nga figurat e opozitës së tanishme dhe figurat e qeverisjes së kaluar.

Ndaj kësaj video të LVV-së kanë reaguar ashpër edhe subjektet e tjera opozitare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se LVV në vend së të kërkojnë llogari në Facebook, duhet t’iu drejtohen organeve të shtetit.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), i është kthyer propagandës së mashtrimit.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga kjo parti opozitare kanë thënë se VV po shpërndan gënjeshtra apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin.

Memli Krasniqi me videoselfie: Kryeministër, a e ke ndërmend me ia fillu punës ndonjëherë?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka publikuar sonte një videoselfie nëpërmjet së cilës e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti a do t’ia fillojë ndonjëherë punës apo do të vazhdojë me propaganda e video-montazhe shpifëse.

Krasniqi në këtë video e ka pyetur të parin e Qeverisë së Kosovës së ku është plani i tij për shëndetësi më të mirë e arsim më cilësor.

Ai e ka pyetur atë se ku janë vendet e punës e prosperiteti i premtuar.
“A kjo është ma e mira që mund të bësh, Kryeministër? A kjo është zgjidhja jote për krizën sociale e ekonomike? A kjo është shpresa që ua ofrove të rinjve, që sot i ke zhgënjyer aq keq, sa po largohen nga vendi në numra rekord? Po ku është plani yt për shëndetësi më të mirë? Ku është zgjidhja jote për arsim më cilësor? Ku janë vendet e punës për rininë tonë? Ku është prosperiteti që ua ke premtuar të gjithëve qe sa e sa vjet. Ballafaqohu me kërkesat e qytetarëve, ofroju zgjidhje konkrete problemeve që i rëndojnë ata. Largoje retorikën tënde të vjetër, negative e nihiliste”, ka thënë ndër të tjera kreu i PDK-së në ketë videoselfie.

Hoti: Kurti s’ka pasur kurrë parime në karrierën e tij, është “oportunist klasik”
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka hedhur akuza ndaj rrugëtimit politik të kryeministrit, Albin Kurti.

Ai e ka quajtur Kurtin “oportunist klasik”.

Kjo, sipas Hotit, kryeministri Kurti në gjithë karrierën e tij politike është i njohur se nuk pasur asnjë parim.

“Në gjithë karrierën e tij politike ky është i njohur që kurrë asnjë parim nuk e ka pasur, është oportunist klasik i shfrytëzimit të situatave për përfitime puro politike të tij. Personalisht nuk ka parime në dialog, është me rëndësi për ne t’i kemi parimet e qarta kur u shpall pavarësia, kur kemi hy në proces të dialogut, kur është dhënë opinioni i GJND-së, rezoluta e OKB që na u ka kërkuar të fillojmë dialogun me ndërmjetësimin e BE-së ka qenë i një natyre tjetër”, deklaroi Hoti.

Më tej deputeti opozitar shton se në dialog me Serbinë janë pranuar marrëveshjet që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Është dashur të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve që nuk e njohin njëra-tjetrën dhe duhet pranuar faktin se janë pranuar marrëveshjet që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Haradinaj: Çdo vendim i qeverisë është kundër interesave të qytetarëve
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se zhvillimet politike e ekonomike sociale në Kosovë, nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin, se sa sot.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shtuar se çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve dhe si shembull i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë “mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat.

“Zhvillimet politike ekonomike sociale në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin se sa sot. Çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat”, ka thënë ndër tjerash Haradinaj.

Postimi i plotë:
Zhvillimet politike ekonomike sociale në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin se sa sot.

Çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat.

Aleanca është e shqetësuar me këtë gjendje të pashpresë e cila kërkon zgjidhje urgjente.
Në këtë frymë sot kishim një diskutim pune për dështimet e kësaj qeverie, dhe për zgjidhjet e duhura që të përfshihen në planin qeverisës të Aleancës, të cilin do ta diskutojmë nesër në Kryesinë e partisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb