Aktori i njohur shqiptar Anastas Kristofori, i cili ndërroi sot jetë në moshën 78-vjeçare, ishte një prej aktorëve më të veçantë në kinematografinë shqiptare.

Për portretin e tij unik dhe karakteret e tij me një lojë mjeshtërore aktoriale, ai mban titullin “Artist i merituar”. I njohur më së shumti si Perikliu te “Pallati 176”, ai ka sjellë në skenë edhe role të tjera. Interpretimi brilant dhe talenti i pashoq, spikati dhe e ktheu atë në një nga aktorët më të dashur për publikun.

Anastas Kristofori lindi në fshatin Vuno të Vlorës në ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1943. Talenti për aktrim spikati që në vogëli tek artisti. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë në vitin 1970. Menjëherë pasi përfundoi studimet, u emërua në Teatrin Popullor.

Kristofori u aktivizua në shumë shfaqje teatrale duke luajtur në shfaqjet: Vajza pa prikë (1970), Familja e Peshkatarit, Duke gdhirë viti ’45, Shënomëni dhe mua, Komunistët, Nën dritat e skenës, Shkallët. Në teatër, paraqitjet e tij kulmuan me drejtor ‘Perikliun’ në komedinë “Pallati 176”, e cila mban rekordin për numrin më të madh të shfaqjeve në historinë e artit shqiptar. Komedia vazhdoi me një pjesë të dytë në vitet 1998-1999.

Kristofori interpretoi rolin e zotit Dëllfit tek “Arturo Ui”, rolin e sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” të Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” të Ruzhdi Pulahës, tek “Epoka para gjyqit” etj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në kinematografi, Anastas Kristofori interpretoi në filmat “Besa e Kuqe”, “Kush vdes në këmbë”, “Dora e ngrohtë”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Vendimi”, “Misioni përtej detit”, etj.

Karakteristikë e aktrimit të Kristoforit mbeten zëri i thellë, vërtetësia e ndjenjave, qesëndia, ironia ndaj tjetrit, nga njëra anë, dhe pezmi dhe dëshpërimi ndaj vetes dhe fatit, nga ana tjetër.

Për kontributin e tij në artin shqiptar, Anastas Kristofori u shpërblye me titullin “Artist i Merituar”. Ai doli në pension në vitin 2003.

Në kinematografi roli i tij i parë ishte në vitin 1976 roli i Stavrit, Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure”. Më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z.Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.

Stavri
Stavri

Kristofori luajti “Perikliun” sërish në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998 një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit.

Po kështu në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot, liria në derë”. Së fundmi, artistin ishte në një nga premierat më të suksesshme në të vitit 2014, “Liri në Bremen”. Mjeshtëria e interpretimit dhe përshtatja me personazhin e kthyen këtë vepër në një ndër veprat më të suksesshme të të gjithave kohërave.

Kristofori vlerësohet dhe për recitimet pasionante të poezisë shqiptare. Pas viteve ’90 ka qenë për një kohë edhe drejtori i Teatrit Kombëtar. Artisti do të prehet në vendlindjen e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb