Shkëlzen Berisha, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për padinë e tij ndaj autorit të librit “Çunat dhe Armët”, Guy Lawson,  i cili e përshin djalin e ish kryeministrit, në biznesin e fishekëve. Berisha u shpreh se autori ka shpifur lidhur me pjesëmarrjen e tij në një takim me Diverolin, Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë AEY (kompani e Diverolit).

Ai thotë se nuk ka marrë pjesë kurrë në një takim të tillë dhe se kjo vërtetohet nga fakti se pjesëmarrësit në takim e kanë mohuar tashmë, prezencën e Berishës atje. Berisha thotë se autori Guy Lawson, ka shpifur, në një tentativë për ta bërë sa më tërhqës librin e tij.

Pjesë nga biseda: 

Ylli Rakipi: Ku ju akuzon ju konkretisht autori i ibrit “Çunat dhe armet”?

Shkëlzen Berisha: Janë dy momente. Momenti i parë, në libër jepet një përfshirje e imja, brenda historisë së AEY. Ndërtohet një profil i imi, sikur unë kam lidhje me mafian dhe krimin e organizuar. Konkretisht përshkruhet një takim ku është edhe zoti Diveroli, pjesëtar të AEY-së, funksionarë të MEIKO-s dhe thuhet se në këtë takim kam qenë edhe unë. Këto janë pak a shumë pikat kryesore ku zoti Lawson shpif, ose më referohet mua me shpifje në këtë libër. Janë disa faqe.

Ylli Rakipi: Ku e ka marrë indicien, në fillim kur ka bërë shkrimin apo kur ka bërë librin?

Shkëlzen Berisha: Unë kam tentuar të kontaktojë me të, në momentin e parë kur ai ka bërë shkrimin në revistën “Rolling Stones”. I kam dërguar email dhe i kam thënë, pavarësisht se nuk më keni kontaktuar, siç e do praktika e gazetarisë, unë dua t’ju jap informacion lidhur me këtë cështje. Ju lutem më dërgoni një numër telefoni ku mund të kontakoj në një orar ose moment që e shihni të përshtatshëm. Ky email, pavarësisht se ka shkuar në adresën e tij, nuk ka marrë kurrë përgjigje.

Ylli Rakipi: Ai ka bërë përpjekje në një emision televiziv në Shqipëri, të cilin nuk munda ta marr, me gazetaren Rudina Xhunga në Vizion Plus. Unë nuk mundta ta merrje, sepse zëri ishte mbuluar me pamje të tjera, por gjithsesi aty thuhej se, ju jeni përfshirë në biznesin e Gërdecit dhe paratë që keni marrë kanë përfunduar në Qipro dhe më pas janë zhdukur. Është interesant fakti që një autor që nuk ju përgjigjet ju, t’ju ndërtojë një akuzë të tillë.

Shkëlzen Berisha: Nuk e kam dëgjuar në ligjëratë të drejtë këtë akuzë, por mund t’ju them se zoti Lawson, në ndryshim nga një pjesë e mirë e medias në Shqipëri, ose njerëzve që mund ti përziejnë këto histori edhe padashje, zoti Lawson e di shume mirë se historia e Gërdecit nuk ka asnjë lidhje me historinë e AEY. Zoti Lawson, përpiqet ti bashkojë këto histori për shkak se kërkon ta bëjë fabulën e vet sa më interesante. Këto dy histori nuk lidhen me njëra tjetrën. Demontimi i fishekëve dhe shitja e fishekëve, janë dy histori komplet të ndryshme nga njëra tjetra.

Ylli Rakipi: Ju hodhët ne gjyq, autorin, personazhet e AEY, por ndërkohë, përpara këtyre, gazeta e njohur New York Times, ju ka përmendur. Përse nuk hodhët ne gjyq gazetën Neë York Times?

Shkëlzen Berisha: Ky komunikim midis Diverolit dhe të ndjerit Trebicka, ka dalë në sipërfaqje në gazetën New York Times. Unë kam bërë një deklaratë publike në atë kohë, të datës 20 Mars 2008 dhe them se unë e kam takuar zotin Trebicka me kërkesën e tij. Ai ka ardhur më ka kërkuar përmes një miku të përbashkët. Kur New York Times, ka bërë këtë publikim, jam mjaftuar me këtë deklaratë publike, me shpresën se kjo histori do të investigohet si në Shqipëri ashtu edhe në SHBA. Një investigim për gjithçka, do të nxirrte shumë qartë, faktin se unë nuk kisha asnjë lidhje me këtë çështje. Fakte kanë dalë se unë nuk kam patur lidhje me këtë histori. Një pjesë e këtyre fakteve i kanë shkuar në dorë edhe vetë gazetarit, i cili ka zgjedhur ti injorojë.

Shkëlzen Berisha tregon një episod, kur Podrizki, merret në pyetje nga prokurorët amerikanë dhe i tregohet një foto e djalit të kryeministrit të Shqipëri. Podrizki mohon të njohë personin që i shfaqin në foto, pra Shkëlzen Berishën.

Pjesë nga biseda: 

Shkëlzen Berisha: Zoti Podrizki, pasi kishte plasur si skandal në SHBA, merret në pyetje në një takim ku kanë qenë prezent prokurorët, përfaqësues të departamentit të mbrojtjes, përfaqësues nga doganat, agjentë special. Në një paragraf që prezumohet të provojë përfshirjen time në këtë histori. Ai thotë kam qenë në një takim ku ka qenë përfaqësuesi i MEIKO, Diveroli dhe thotë, se në këtë takim ishte edhe Shkëlzen Berisha. Hetuesi thotë vetë, zotit Podrizki, iu tregua një fotografi e djalit të kryeministrit, por ai nuk e njohu atë. Ky dokument është marrë nga arkiva e zotit Laëson, pra gazetari që ka shkruar librin.

Ylli Rakipi: Ju keni thënë në një televizion tjetër, se babai më kishte ndaluar të hedh në gjyq mediat. Por kjo ishte për mediat shqiptare, kjo e babait, jo për mediat ndërkombëtare, kur ju akuzon një gazetë e madhe amerikane si New York Times.

Shkëlzen Berisha: Kjo është e vërtetë se New York Times është një media amerikane por unë mendova se, duke qenë se bëra deklaratë publike, kjo ishte një çështje në process. Në përfundim të procesit, opinioni do të ishte i sqaruar për këtë punë.

Ylli Rakipi: Përpara se Guy Lawson, të botonte librin, ai ka shkruar një artikull ku deklaron se ti ke qenë në një takim me Diverolin, Podrizkin, Delijorgjin dhe Pinarin.

Shkëlzen Berisha: Po, këtë ka deklaruar. Është një shpifje dhe mashtrim.

Ylli Rakipi: Ju thoni mashtrim sepse edhe vetë Diveroli thotë mashtrim. Shumë e çuditshme. Një njeri që ka marrë 300 milionë dollarë nga shteti amerikan, bën disa deklarata dhe pastaj bën të kundërtën.

Shkëlzen Berisha: Nuk është tamam ashtu. Në natyrën e zotit Diveroli, është krejt normale që të ketë gënjyer. Ai ka gënjyer edhe më parë. Ka gënjyer administratën amerikane, ka gënjyer Departamentin e Mbrojtjes, ka gënjyer Pentagonin, ortakët e tij, zotin Trebicka. Është normale në natyrën e tij, të gënjyerit është diçka normale. E gjithë historia e tij është histori gënjeshtrash. Kjo është arsyeja përse kam paditur gazetarin, sepse gazetari, duke njohur natyrën e Diverolit, duke njohur natyrën e Podrizkit, nuk i lejohej të përdorte vetëm këta të dy si burime për atë që ka shkruar, duke injoruar të gjithë deklaratat e mija të mëparshme.

Ylli Rakipi: Në vitin 2015, autori botoi librin i cili u botua edhe në Shqipëri. C’menduat në fillim?

Shkëlzen Berisha: Ai botoi librin që ishte i njëjtë me artikullin. Sërish kam bërë deklarata publike, për shkak të përdorimit politik që iu bë librit në Tiranë, si pjesë e makinerisë së shpifjes ndaj meje, nga persona të cilët më vonë dolën se kishin qenë burime të zotit Lawson.

Ylli Rakipi: Ja çfarë shkruan Guy Lawson për ju. “I veshur me pulovër dhe me kasketë bejsbolli në kokë, djali kishte flokë të zinj, lëkurë të lëmuar dhe sy të akullt si të peshkaqenit. Djali nuk u ngrit të njihej me amerikanët. Ishte Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit të Shqipërisë, do t’u thoshte më vonë Pinari.
Shkëlzeni ishte pjesë e asaj që në Shqipëri njihej si “FAMILJA”, grupi i lidhur fort dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm që rrethonte kryeministrin Sali Berisha e që jetonte falë favoreve të tij”.

Shkëlzen Berisha: Shikoni pak përshkrimin e zotit Lawson, i cili nuk ka qenë kurrë në atë takim dhe shikoni pak përshkrimin që bën Diveroli në librin e tij. Zoti Diveroli që ka qenë prezent në takim, përpara deklaratës, nën betim, ku thotë se ka trilluar gjithçka, ka shkruar një libër. Nuk ka patur asnjë lloj presioni, sepse është përpara gjyqit. Ai thotë se personi kishte tipare skandinave. Shihni dallimin. Zoti Lawson që nuk ka qenë në takim thotë flokë të zinj, ai tjetri, që ka qenë në takim thotë tipare skandinave. Është e qartë që ka dallime dhe ndryshime, që zoti Lawson, me shume gjasa, i ka futur vetë për të bërë më të besueshme shpifjen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: