NGA: XHENSILA KODRA*
Një kufomë e skeleti zuar është gjetur mesditën e djeshme në fshatin Shkallë-Tujan, në faqen e malit të Dajtit. Sipas Policisë së Tiranës, dyshohet se kufoma i përket seksit mashkull dhe një moshe të madhe, dhe është gjetur e mbuluar me një masiv dherash e gurësh. Ndërkohë, nga hetimet paraprake të hetuesve të çështjes bëhet me dije se dyshohet që ngjarja mund të ketë ndodhur rreth 3-4 vite më parë. Burime pranë uniformave blu sqaruan se skeleti mund t’i përkasë një turisti, pasi pikërisht në atë kohë, në polici janë denoncuar si të humbur edhe dy turistë të huaj. Sakaq, zyrtarisht policia tha se grupi hetimor është duke punuar për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

NGJARJA
Ka qenë një banor i fshatit që ka konstatuar pjesë të ndryshme të skeletit dhe menjëherë ka njoftuar policinë. Këta të fundit, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të saj. Mësohet se pjesët e skeletit të dekompozuar u gjetën të mbuluara nga një masiv dherash e gurësh. Lidhur me këtë fakt, policia ka dyshime se personi është zënë poshtë nga rrëshqitja e dherave dhe e faqes së malit si pasojë e fenomeneve të natyrës.

“Më datë 05.06.2016, në shpatin e malit të fshatit Shkallë-Tuja, është gjetur një kufomë e skeletizuar, dyshohet të jetë moshë e madhe. Nga hetimet paraprake dyshohet se ka gjetur vdekjen rreth 3-4 vjet më parë. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes”, shkruhet në njoftimin e bërë zyrtar nga ana e Policisë së Tiranës. Efektivë të policisë të cilët shkuan në vendngjarje morën në pyetje edhe personin që zbuloi skeletin. Besjan Qordja ka treguar se ai kishte shkuar aty për të mbledhur sherebelë. Po ashtu, ai ka pohuar se afër skeletit kishte gjetur rrobat dhe një palë këpucë të zeza, ndërsa kufoma ishte e mbuluar nga gurët. Menjëherë policia nisi hetimet dhe paraprakisht dyshohet se kufoma i përket njërit prej turistëve të zhdukur rreth 4 vite më parë, pasi nga fshati Shkallë-Tujan nuk rezulton ndonjë person i humbur.
(Lajmin e plote mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: