U çel sot “Shkolla e Integrimit Europian 2020”. Në fjalën e tij nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla deklaroi se Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj të palëkundur për të përmbyllur procesin e reformave dhe për të përparuar në 35 kapitujt e integrimit europian.

Sipas Ballës, Shkolla prestigjoze mbi Integrimin organizohet në një moment kyç për vendin tonë sa i përket rrugës së integrimit Evropian të vendit.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi i integrimit është shumë kompleks dhe nuk mund të ecë përpara me retorikë apo fjalë boshe, por kërkon vullnet të palëkundur dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha palëtn”, tha Balla.

Fjala e plotë:

Kjo Shkollë prestigjoze mbi Integrimin organizohet në një moment kyç për vendin tonë vis a vis integrimit Evropian por edhe në kushtet e një pandemie, arsye përse për të parën here ky aktivitet zhvillohet online .

Pavarësisht pandemisë, zhvillimi i saj në këto momente është thelbësore për të ritheksuar se pavarësisht vendimarrjes në nivel Europian, Shqipëria është e vendosur në rrugëtimin e saj të palëkundur për të përmbyllur procesin e reformave dhe për të përparuar në 35 kapitujt e integrimit evropian.

Orientimi siç e kam theksuar në mënyrë të përsëritur është mbi të gjitha një imponim i qytetarëve shqiptarë të cilët në totalitetin e tyre, rreth 98 %, e mbështesin procesin e integrimit europian sepse janë të bindur që reformat do të sjellin konsolidimin e demokracisë dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se procesi i integrimit është shumë kompleks dhe nuk mund të ecë përpara me retorikë apo fjalë boshe, por kërkon vullnet të palëkundur dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha palët.

Të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre dhe askush nuk mund dhe nuk duhet të tërhiqet nga kontributi i tij për këtë proces. Kjo shkollë dhe përzgjedhja e pjesëmarrësve që vijnë nga fusha të ndryshme në vend, janë në funksion të kësaj filozofie dhe nevojës për të përgatitur ekspertë në sejcilin prej 35 kapitujve që vendi ynë do të negociojë me Bashkimin Evropian.

Të nderuar pjesëmarrës,
Shqipëria pret mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, gjë që do të thotë që vitet në vazhdim do të jenë veçanërisht sfiduese për Shqipërinë dhe do të kërkojnë njohuritë dhe ekspertizën tuaj në fusha specifike.
Siç kanë dëshmuar edhe eksperiencat e suksesshme të integrimit në familjen Europiane të vendeve të tjera, pa angazhim kolektiv nuk mund të mbyllet cikli i nisur i reformave. Dhe për mbarvajtjen e procesit kompleks të negociatave do të kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertëve tanë brenda dhe jashtë vendit.
Për këtë qëllim kërkoj vëmendjen tuaj gjatë dy javëve të zhvillimit të kësaj shkolle, për të marrë më të mirën e mundshme nga ekspertët dhe lektorët e përzgjedhur nga Komisioni Europian, nga Universiteti Westminster i Londrës, nga Kolegji i Europës, nga Universiteti i Gracit në Austri, nga Universiteti i Strasburgut, Selanikut dhe ai Zagrebit si edhe ekspertë ndërkombëtar në çështjet e negociatave nga vende që e kanë kaluar atë fazë siç është Kroacia, ose që po e kalojnë këtë fazë aktualisht si Serbia dhe Mali i Zi.

Kërkoj vëmendjen tuaj edhe për faktin se sekretariatit Teknik të KKIE i është dashur të bëjë një përzgjedhje aspak të lehtë ndërmjet 217 aplikantëve të këtij edicioni.

Për këtë arsye ne kemi zgjedhur si fitues të kësaj shkolle 37 prej aplikuesve të cilët kanë profesione të ndryshme dhe përfaqësojnë kategori të ndryshme. Kështu kemi: 7 përfaqësues nga ministritë e linjës, 3 nga institucionet e tyre të varësisë, 5 lektorë nga akademia, 2 kërkues shkencorë, 2 nga media, 4 nga bashkitë, 4 nga Organizatat jo Fitimprurëse, 2 nga Dhomat kombëtare të Avokatisë dhe Noterëve, 1 nga biznesi dhe 5 nga parlamenti. Kjo shkollë padyshim që i shërben fort procesit të integrimit europian.

Interesi i lartë për të qenë pjesëmarrës dëshmon që shkolla, e cila është në edicionin e saj të pestë, i’a ka arritur qëllimit për të përthithur profesionistë në fusha të ndryshme të cilët në një të nesërme të afërt do të angazhohen në procesin e negociatave me BE-në.

Në këto momente mendoj që ne duhet të vazhdojmë përpjekjet tona drejt ëndrrës tonë madhore, drejt aderimit në BE dhe organizimi i kësaj shkolle mendoj që tregon qartësisht pozicionimin tonë.

Më lejoni të falenderoj Z. Soreca, i cili nuk e ka kursyer mbështetjen e tij për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Jam shpresëplotë dhe i sigurt që këtë herë Këshilli do të jetë unanim në vendimin e tij, për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

Për ta mbyllur, më lejoni të falenderoj donatorët: Delegacionin e Bashkimit Europian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), dhe Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, pa të cilët nuk do të ishte i mundur organizmi i këtij eventi por gjithashtu dhe stafin e Sekretariatit të KKIE dhe Kuvendit, për të gjithë punën e bërë për realizimin e këtij eventi.

Duke ju uruar një javë të frytshme, ju falenderoj për vëmendjen tuaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb