Ministrja e Arsimit Evis Kushi me anë të një postimi në Facebook ka deklaruar se në datën 6 Dhjetor, ditë kur në kryeqytet do të zhvillohet samiti i liderëve evropianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, mësimi në shkollat e Tiranës do zhvillohet normalisht.

Kushi shkroi se s’ka arsye për të ndaluar procesin mësimor për shkak të vizitës së liderëve evropianë, ndërsa u bëri thirrje mësuesve që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë.

Postimi i plotë:
E detyruar nga pyetja e vazhdueshme “A do jenë pushim shkollat në datën 6?” po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe historike për Shqipërinë. Për herë të parë, të gjithë liderët e BE-së mblidhen në një vend jashtë BE-së për një samit të Këshillit Evropian. Ky është nder dhe vlerësim i madh për vendin tonë, por s’ka arsye për të ndaluar procesin mësimor. Madje i ftoj të gjithë mësuesit, në të gjithë vendin, që ta shfrytëzojnë këtë ditë kaq të veçantë për të ndarë me nxënësit opinionet për rrugëtimin e vështirë evropian të atdheut tonë.

Ndjesë për të gjithë ata që mund të jenë keqinformuar nga media të ndryshme, rrjetet sociale apo burime të tjera jozyrtare dhe mësim të mbarë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb