Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas publikimit të lajmit për tenderin e hapur për trajtimin kozmetik të punonjëseve femra të Operatori i Sistemit të Transmetimit nga News24 dhe BalkanWeb.

Me anë të një statusi në Facebook, Blushi u shpreh se qeveria e babëzisë nuk merret me kompensimine çmimeve të rritura apo të rrisë pagat e pensionet, por merret me të tilla tendera të tillë.

Kujtojmë se tenderi që OST ka hapur për trajtimet estetike të femrave të ndërmarrjes kap vlerën e 130 mijë euro. Në kushtet e përgjithshme të kontratës që lidhen me sigurimin e jetës dhe shëndetit dhe aksidenteve në punë, specifikohen edhe trajtimet kozmetike që do të përfitojnë punonjëset.

“Trajtim kozmetik për qëllime të kësaj kontrate nënkupton çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendje shëndetësore”, parashikohet në kontratë.

Pra, bëhet fjalë për një trajtim ekstra. Me sa duket Skerdi Drenova, kreu i OST-së, i cili drejton një nga institucionet që menaxhon miliona euro kërkon që punonjëset e tij të jenë të kuruara ndonëse vendi ynë po kalon një situatë ekonomike të vështirë.

 

 

Përveç kësaj, teksa punonjësit e administratës shtetërore marrin ndihmë mjekësore në shtet kur e kanë të nevojshme, punonjësit e OST do të marrin shërbime ekstra edhe në privat.

Sipas dokumenteve të publikuara në agjensinë e prokurimit publik, tenderi me vlerën 130 mijë euro do të zbatohet për 12 muaj nga hyrja në fuqi e kontratës.

Postimi i plotë i Blushit:

KULMI I BABËZISË! OST SHPALL TENDERIN PËR TRAJTIMIN KOZMETIK TË GRAVE!

Në vendin më të varfër të Europës, ku 67% e popullsisë jeton me 5.5 dollarë në ditë, në kulmin e rritjes stratosferike të çmimeve, kur kostoja e jetesës është bërë e përballueshme, kur Qeveria nuk merr asnjë masë për kompensimin e qytetarëve në nevojë dhe në prag të krizës së pritshme energjitike, vjedhja papushim dhe abuzimi me taksat e shqiptarëve vijon në mënyrë të shfrenuar.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë hap tenderin me vlerë mijë euro për TRAJTIMIN KOZMETIK të punonjësve femra
OST shpall këtë tender të turpshëm ndërkohë që kjo Qeveri e babëzisë nuk planifikon:
Asnjë kompensim për rritjen e çmimit të bukës, vajit, miellit, vezëve, orizit, makaronave dhe produkteve të tjera ushqimore!
Asnjë kompensim për rritjen e çmimit të karburanteve!
Asnjë rritje rrogash dhe pensionesh!
Asnjë paketë ndihme për turizmin!
Kur kriza është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare, babëzia e tyre nuk ka limite!
Edi Rama dhe banda e tij e hajdutëve duhen shporrur sa më parë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: