TIRANE– Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë u zhvillua sot ceremonia e fillimit të shpërndarjes së certifikatave të Statusit të Naftëtarit. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Gentian Keri sqaroi se në total janë paraqitur pranë këtij institucioni për shqyrtim nga Komisioni rreth 4 mijë aplikime të dërguara nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore kryesisht të Qarqeve Fier, Berat, Vlorë, Sarandë dhe Tiranë.

Deri më tani, nga ana e Sekretarisë Teknike që funksionon pranë komisionit janë trajtuar mbi 1 mijë aplikime, janë miratuar dhe prodhuar certifikatat për 400 përfituesit e parë të statusit, shpërndarja e të cilave filloi ditën e sotme.

“Nisur nga volumi i madh i punës që kërkohet dhe përgjegjësia e procesit, kërkojmë mirëkuptimin e punonjësve dhe ish-punonjësve të tjerë të industrisë së naftës. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke vlerësuar rëndësinë dhe interesin që paraqet përmbushja e detyrimeve institucionale përsa ka të bëjë me trajtimin e shpejtë dhe profesional të çështjeve që lidhen me statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit, ka shprehur dhe vazhdon të shpresë një angazhim maksimal në këtë drejtim.

Kemi marrë të gjitha masat organizative që në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera që ngarkon ligji, të procedojë sa më shpejt me trajtimin e aplikimeve të paraqitura, përfshirë edhe zgjidhjen e problematikës që është vërejtur në dokumentacionin e disa aplikimeve, për përmbushjen me sukses të këtij angazhimi të qeverisë”, u shpreh Keri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb