Eksperti i IT-së Gent Progni ka mbajtur një fjalim të zjarrtë gjatë protestës së sotme, duke iu drejtuar turmës me një thirrje të fortë për bashkim dhe organizim qytetar kundër klasës politike.
Në fjalën e tij, Progni theksoi se forca më e madhe e qytetarëve qëndron te organizimi, ndërsa njoftoi edhe nisjen e një platforme të re online, të pagëzuar “shqiperianukshitet.com”, e cila do të shërbejë si pikënisje për koordinimin e rezistencës.
Sipas Prognit, hapi i parë i kësaj strategjie do të jetë goditja e propagandës në rrjetet sociale përmes raportimeve të masive dhe “unfollow” ndaj figurave politike, duke u pasuar me grupime në Telegram për të bashkuar rininë dhe studentët.
“A e dini kur na kanë më shumë frikë? Kur ne organizohemi! Kur jemi të bashkuar dhe organizohemi. Që të organizohemi kemi hapur një faqe web që quhet shqipërianukshitet.com. Kur rinia rri në shi dhe na dëgjon, di të organizohet,” u shpreh Progni para protestuesve.
Më tej, ai shpjegoi hapat konkretë që do të ndiqen përmes kësaj platforme:
-Raportimi i propagandës: “Për t’u organizuar te faqja e webit do nisim me raportimin e cdo gënjeshtre që postojnë këta!”
-Bojkoti në rrjetet sociale: “Do nisim duke u bërë unfollow dhe mos t’i shohim as në rrjetet sociale!”
-Grupimi i të rinjve: “Do nisim duke u bërë pjesë e disa grupeve në Telegram ku rinia dhe studentët të bashkohen në grupet e tyre dhe do shpërndajmë kushtet dhe kërkesat tona.”
Në mbyllje të fjalës së tij, Progni lëshoi një ultimatum të prerë për të gjithë faktorët politikë, duke kërkuar largimin e tyre dhe duke paralajmëruar përshkallëzim të protestës në ditët në vijim.
“Kushti i vetëm është dorëheqje! Shporruni të dy palët, të gjithë të korruptuarit! Nesër më shumë! Nesër më shumë!”, përfundoi fjalimin e tij programuesi Gent Progni.
