Forcat Ajrore Franceze kanë përdorur për herë të parë në një operacion real zjarrfikjeje avionin transportues ushtarak A400M, i cili u angazhua në luftën kundër zjarreve të mëdha që kanë përfshirë rajonin e Bordeaux.

Gjatë pasdites, avioni kreu hedhjen e parë operative të lëndës retardante mbi zonën e Lacanau, në departamentin Gironde, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

A400M, i prodhuar nga Airbus, mund të transportojë deri në 20 mijë litra ujë ose lëndë retardante, duke u bërë një mjet i rëndësishëm në operacionet ajrore kundër zjarreve.

Përdorimi i tij vjen pasi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Franceze njoftoi se ishin përfunduar të gjitha përgatitjet teknike për certifikimin e sistemit dhe vënien e tij në shërbim operacional.


Sistemi, i testuar nga Airbus në prill të vitit 2025, përbëhet nga një rezervuar gjysmë cilindrik i vendosur në pjesën e poshtme të avionit, pa pasur nevojë për modifikime strukturore. Falë këtij konfigurimi, A400M mund të kryejë hedhje uji ose lënde retardante me një kapacitet që, sipas prodhuesit, është i krahasueshëm me atë të tre avionëve zjarrfikës Canadair.

Mbrojtja Civile Franceze bëri të ditur se misioni i parë kishte si objektiv krijimin e brezave mbrojtës me lëndë retardante jashtë masiveve pyjore dhe zonës së Bordeaux, për të penguar avancimin e zjarreve drejt rajoneve të banuara.

Përdorimi i A400M konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Francës për përballimin e zjarreve të mëdha, të cilat janë bërë gjithnjë e më të shpeshta për shkak të valëve ekstreme të të nxehtit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: