Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj dënoi kërcënimin e gazetares Klodiana Lala nga ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni. Në studion e News24, në “Minuta e Parë” me Ola Bruko, Shehaj tha se gazetarja u sulmua në dyert e Gjykatës dhe kjo është ngjarje e shëmtuar dhe e papranueshme.

Ai tha se kryeministri Edi Rama duhet të reagojë për ngjarjen, ndërsa shtoi se mesazhi i ish-zyrtares së SHISH ishte për të gjitha mediat dhe gazetarët që po denoncojnë aferat e saj.

Agron Shehaj: Shpreh solidaritet me gazetaren Klodiana Lala. Një kërcënim i shëmtuar dhe i papranueshëm që me të drejtë nuk i drejtohet vetëm saj që ishte duke kryer detyrën e saj, por
i ishte drejtuar të gjitha mediave dhe gazetarëve që punojnë ndershmërisht për të informuar opinionin publik me zullumet e përditshme të kësaj qeverie. Do të ishte mirë në fakt, në një vend normal, që të reagonte Kryeministri i këtij vendi. Ku një gazetar sulmohet para derës së Gjykatës, që në vend që të heshtë kryeministri duhet të flasë, të mbajë një qëndrim, t’i dalë në mbrojtje medias dhe gazetares. Nuk pres që të ndodhë sepse gjuha e përdorur aty është rëndomtë gjuha që përdor kryeministri dhe çdo pushtetar.

Duhet të merremi me fenomenin. Është një mesazh për të gjithë, nëse më sulmoni unë do të kërcënoj, shpif, shantazhoj, ky ishte mesazhi që dha”, tha Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb