Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar qeverinë për paaftësi në menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, duke deklaruar se mungesa e mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme po rrezikon jetën e qytetarëve dhe zjarrfikësve.

Në një deklaratë për mediat, Balliu tha se Shqipëria po përballet me zjarre në disa zona, ndërsa sipas tij qeveria nuk ka siguruar kapacitetet e nevojshme për përballimin e situatave emergjente.

“Shqipëria po digjet, nga cepi në cep”, u shpreh deputeti demokrat, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk i ka dhënë prioritet sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së territorit. Balliu e cilësoi situatën si një “dështim kriminal në prioritetet” e qeverisë.

Deputeti i PD-së kritikoi investimet që, sipas tij, janë bërë për koncerte, spektakle dhe projekte të tjera, ndërsa zjarrfikësit përballen me mungesë automjetesh, pajisjesh mbrojtëse dhe mjeteve moderne për ndërhyrje. Ai përmendi edhe shumën prej rreth 4 milionë eurosh të lidhur me koncertin e Kanye West, duke argumentuar se këto fonde do të mund të përdoreshin për forcimin e kapaciteteve kundër zjarreve.

Balliu akuzoi gjithashtu qeverinë për standarde të dyfishta në përdorimin e mjeteve të emergjencës, duke pretenduar se autoritetet kanë në dispozicion mjete të avancuara për menaxhimin e protestave, por jo në të njëjtën masë për përballimin e zjarreve.

Ai kërkoi përgjegjësi politike nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, për kapacitetet e strukturave që varen prej tij dhe për mënyrën se si po menaxhohen situatat e përsëritura të zjarreve.

Sipas Balliut, zjarrfikësit nuk mund të përballen me flakët pa pajisjet e duhura dhe çdo ndërhyrje e tyre në kushte të pasigurta është tregues i mungesës së investimeve në sistemin e emergjencave.

Deklarata e plotë e deputetit të PD, Klevis Balliu:

Shqipëria po digjet, nga cepi në cep, ndërsa Edi Rama shëllehet në Dhërmi, ku ka marrë Alex Sorosin që ta ndihmojë të shuajë flakët që protesta qytetare i ka vënë qeverisë së tij.

Paaftësia për të mbrojtur qytetarët, pasuritë e tyre dhe territorin e vendit është shenja kryesore e kësaj qeverisjeje, dhe zjarret vetëm e kanë nxjerrë në pah këtë fakt në mënyrë dramatike.

Në rrezik nuk janë vetëm shtëpitë, pyjet, kullotat dhe lagjet e qyteteve, por edhe jeta e qytetarëve dhe e zjarrfikësve, të cilët përballen me flakët pa pajisjet e nevojshme.

Por kjo nuk duhet parë thjesht si paaftësi. Ky është një dështim kriminal në prioritetet e një qeverie që ka para për gjithçka, përveç sigurisë së shqiptarëve.

Edi Rama ka gjetur miliona euro për koncerte, spektakle, kopshte dhe instalacione idiotëske, ndërkohë që zjarret i lufton me lopata dhe me zjarrfikëse të viteve ’70, që rrjedhin ujë pa arritur te zjarri. Rreth 4 milionë eurot për Kanye Ëest do të ishin shumë sot një investim jetik për zjarrfikësit, për pajisje moderne dhe për krijimin e kapaciteteve reale kundër zjarreve.

Por ka edhe një ironi që tregon më mirë se çdo fjalë se ku i ka prioritetet kjo qeveri.

Edi Rama dhe Besfort Lamallari gjejnë makina me ujë kur duhet të përballen me protestuesit, por nuk gjejnë makina me ujë kur Shqipëria përfshihet nga flakët.

Kur sheh se si zbret në sheshe policia për të sulmuar qytetarët që protestojnë, e armatosur deri në dhëmbë, me makina të blinduara, ujëhedhëse dhe gazhedhëse, dhe kur sheh se si përballohen zjarret, e kupton se kjo qeveri e meriton epitetin diktaturë.

Ky është shteti i Edi Ramës: i pamëshirshëm me qytetarët, të cilët i lë në mëshirën e fatit kur bien zjarre apo ndodhin fatkeqësi të tjera. I gatshëm të përdorë çdo mjet për të shtypur protestën, por neglizhent për të siguruar mjetet bazë për të mbrojtur njerëzit dhe pronat.

Përgjegjësia nuk mund të fshihet pas deklaratave të ministrive apo propagandës televizive. Besfort Lamallari, si Ministër i Brendshëm, duhet të përgjigjet se si strukturat që varen prej tij nuk kanë kapacitetet e nevojshme për një situatë që përsëritet çdo vit.

Zjarrfikësit nuk mund të dërgohen në frontin e zjarrit sikur po shkojnë për të mbjellë pemë. Çdo zjarrfikës që futet në flakë pa pajisjet e duhura është dëshmi e dështimit të shtetit.

Qeveria e Edi Ramës nuk mund të kujtohet për zjarrfikësit vetëm kur kamerat janë ndezur. Nuk mjaftojnë fotot, deklaratat dhe propaganda. Duhen mjete, pajisje mbrojtëse, automjete, avionë, helikopterë, infrastrukturë dhe një sistem real sigurimi dhe reagimi ndaj emergjencave.

Edi Rama dhe Besfort Lamallari duhet të japin llogari për këtë dështim. Sepse kur një qeveri ka para për luksin dhe propagandën, por jo për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe të zjarrfikësve, problemi nuk është mungesa e parave. Problemi është se ku zgjedh t’i çojë paratë kjo qeveri.

Partia Demokratike angazhohet fuqimisht se, me ardhjen në qeveri, do të ketë si pjesë të planit qeverisës një Paketë të Plotë për Emergjencat, me një Program Antizjarr, të hartuar nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe një buxhet të rritur dhe të përshtatshëm.

Ne do t’i japim fund asaj që në letër paraqitet si ‘Rilindje 2.0’, por në realitet është një fasadë prej varaku që bie sapo Shqipëria përballet me zjarr, përmbytje apo çdo krizë tjetër civile.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: