Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula, është shprehur se gjendja ekonomike në Shqipëri është duke u rënduar dhe se qytetarët e kanë të vështirë të sigurojnë edhe produktet bazë për të jetuar.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka fajësuar për një gjë të tillë, mungesën e ndërhyrjes së shtetit për të lehtësuar situatën.

Referuar raportit të publikuar nga INSTAT, deputeti Sula ka theksuar se importet dhe eksportet në vend kanë shënuar rënie. E vetmja gjë që është rritur sipas tij, është largimi i njerëzve.

Postimi i plotë:

Shqiptarët po varfërohen, konsumi po ulet!

Prej muajsh në “dritaren” time të vogël të komunikimit, kam denoncuar herë pas here situatën e vështirë ekonomike në vend. Jam përpjekur ta shkëpus vëmendjen nga këto zënkat e brendshme politike që si vlejnë asnjë lekë shqiptarëve dhe fakt është që institucionet shtetërore me raportet e tyre më kanë dhënë të drejtë.

Fakt është që gjendja ekonomike në Shqipëri është rënduar edhe më tepër. Rritja ekstreme e çmimeve dhe mungesa e ndërhyrjes së shtetit me politika lehtësuese i çuar familjet në pikën më kritike ku nuk po arrijnë të sigurojnë as ushqimet bazë për të jetuar.

Raporti i INSTAT i publikuar sot për importet dhe eksportet konfirmon krizën e rëndë. Sipas të dhënave të tre muajve të para të këtij viti të krahasuara me një vit më parë, vihet re një rënie e importeve dhe eksporteve. Tregtia ka shënuar rënie si në rrugë toksore, detare ashtu si edhe në rrugë hekurudhore dhe ajrore. I vetmi që ka shënuar rritje është lëvizja e njerëzve. Kjo përkthehet për shkak të lehtësimit të kushteve nga pandemia por edhe për faktin e braktisjes së vendit.

Treguesit e INSTAT
Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin Mars 2022 është 355,9 mijë ton, duke u ulur me 4,0 %, krahasuar me Mars 2021.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 1.000,6 mijë ton, duke u ulur me 7,4 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021.
Në muajin Mars 2022, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.705 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 37,0 %, krahasuar me Mars 2021.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 5.080 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 37,3 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021.
Në muajin Mars 2022, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 169,4 ton, duke u ulur 4,2 % në krahasim me Mars 2021.
Në tremujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 482,3 ton, duke u rritur me 7,3 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021.
Në Mars 2022, numri i fluturimeve të kryera është 2.326, duke u rritur me 2,1 herë, në krahasim me muajin Mars 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb