Aktivisti i njohur i diasporës, Aleksandër Runaj, i ftuar në programin e drekës në News24, ka folur mbi mobilizimin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në protestat masive kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Runaj, me origjinë nga Vlora dhe me një jetesë 14-vjeçare në Gjermani, rrëfeu se zanafilla e angazhimit të tij nisi me denoncimet për situatën në Shqipëri.

“Që në 16 maj kam denoncuar atë që po ndodhte në Zvërnec. Kjo ishte lëvizja ime e parë. Më pas situata agravoi dhe vendosa t’i bëj thirrje gjithë diasporës në rrjetet sociale, ku gjeta një reagim shumë aktiv. Bëmë kërkesë për një protestë në Bruksel, e cila ishte shumë e madhe. Kam qenë në protestë në Dortmund, do të jem në Këln, dhe këtë të shtunë do të zbarkoj në Tiranë,” u shpreh aktivisti.

Për Runajn, Zvërneci ishte vetëm “pika që derdhi gotën”, pasi arsyet pse diaspora po ngrihet si asnjëherë më parë janë shumë më të thella dhe lidhen me dhimbjen e largimit dhe ndarjes së familjeve.

“Ata që kanë ikur, kanë ikur nga pamundësia. Kanë mall për të afërmit dhe familjen. Ne jemi 4 pjesëtarë të familjes të shpërndarë në 3 vende të ndryshme të botës. Kjo është një arsye shumë e fortë për të protestuar dhe për të ngritur zërin,” tha ai.

Aktivisti u ndal edhe te skandalet korruptive që kanë përfshirë ekzekutivin, duke përmendur specifikisht goditjet nga drejtësia e re. “Janë shumë pika për të protestuar. Unë vetë kam ngritur shqetësimet e mia. Nuk i besoj dot një qeverie ku ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është e pandehur dhe SPAK kërkon ta arrestojë,” deklaroi Runaj.

Sipas tij, fryma e protestës ka përfshirë çdo shqiptar jashtë kufijve dhe mesazhi që vjen nga diaspora është i qartë: mbështetje totale për lëvizjen qytetare në vend deri në ndryshimin e situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb