Valët e protestës qytetare që kanë përfshirë Tiranën prej më shumë se një jave kanë kaluar kufijtë, duke ndezur edhe diasporën shqiptare në Itali.
Gjatë ditës së djeshme, shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Torino janë grumbulluar në një protestë paqësore, në shenjë solidariteti me tubimet që po zhvillohen në vendlindje.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, bashkëatdhetarët në Itali kanë ngritur zërin kundër dështimit të klasës politike, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Kjo protestë në Torino vjen në të njëjtën kohë kur në kryeqytetin shqiptar revolta ka arritur kulmin. Vetëm një ditë më parë, në Tiranë u zhvillua protesta e tetë radhazi, ku mijëra qytetarë mbushën sheshet.
