Prej 38 ditësh, protestat masive në Tiranë kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e pakushtëzuar të kryeministrit Edi Rama vijojnë të mbajnë të mbushur sheshin përballë Kryeministrisë.
Rama ka reaguar disa herë ndaj protestuesve, duke i cilësuar ata si të “blerë” apo të “mashtruar”, ndërsa ka tentuar të minimizojë ndikimin e lëvizjes qytetare.
Megjithatë, pakënaqësia e qytetarëve pas 13 vitesh qeverisje socialiste duket se ka sjellë një mobilizim të vazhdueshëm, me protesta të përditshme që vijojnë prej më shumë se një muaji.
Por, ndërsa sot Rama përballet me akuzat e protestuesve për keqqeverisje, vëmendja rikthehet te deklaratat e tij 13 vite më parë, kur Partia Socialiste kërkonte të vinte në pushtet dhe kritikonte qeverinë e atëhershme demokratike.
Në një nga fjalimet e tij gjatë asaj periudhe, Rama shprehej se shqiptarët ishin të braktisur nga qeveria dhe përballeshin me vështirësi ekonomike e sociale.
“Shqiptarët janë prej kohësh të tradhtuar nga qeveria e tyre. Çdo vit e më të papunë, më të pafuqishëm përballë çmimeve që rriten çdo ditë, pa shërbime publike sipas nevojës, por vetëm sipas xhepit. Pa shtet që t’i mbrojë e pa drejtësi që të garantojë liritë dhe të drejtat e tyre”, deklaronte Rama në atë kohë.
Ai akuzonte qeverinë e atëhershme se nuk arrinte të garantonte siguri dhe mirëqenie për qytetarët.
“Kjo qeveri nuk siguron dot më jetën e qytetarëve, asnjë liri e të drejtë nuk garanton. Luan çdo ditë me jetët e qytetarëve dhe e ka braktisur qytetarin në mes të rrugës”, shprehej Rama.
Deklaratat e dikurshme të kryeministrit janë rikthyer në vëmendje pasi shumë prej problemeve që ai denonconte atëherë vijojnë të jenë aktuale edhe sot.
Sot, shumë qytetarë ankohen për rritjen e kostos së jetesës, çmimet e larta dhe vështirësitë ekonomike, ndërsa një pjesë e tyre shprehen se ndihen të distancuar nga institucionet dhe të pambështetur nga shërbimet publike.
Protestuesit pretendojnë se realiteti i përditshëm i qytetarëve është larg imazhit të paraqitur nga propaganda qeveritare, duke e bërë të fortë përplasjen mes deklaratave të dikurshme të opozitës dhe kritikave që sot drejtohen ndaj qeverisë Rama.
