DURRËS- Shtabi elektoral i kandidates së Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit ka publikuar sot disa të dhëna në lidhje me shtimin e numrit të zgjedhësve. Sipas Shtabit të Dumës, “Vangjush Dako, me bekimin e Kryeministrit Rama ka ngritur, një skemë gjigante manipulimi të zgjedhjeve duke manipuluar listat e zgjedhësve që të kujton vetëm listat e manipuluara të viteve 2000-2003”. Nga të dhënat e ofruara nga PD, mësohet se janë rreth 2800 zgjedhës të shtuar nga janari deri më 11 maj, ndërkohë që vitin e kaluar në total janë shtuar 2200 zgjedhës.

Mesatarja mujore nga 2013 deri në dhjetor 2014 ka qenë 183 zgjedhës të rinj në muaj. Ndërkohë që sipas PD-së ka një rritje mbi mesataren mujore në janar-shkurt, kërcimi ndodh në mars kur qarkullonte se Dako ishte konfirmuar‎. Ai u konfirmua zyrtarisht me 30 mars. Në prill shtimi i zgjedhësve është intensifikuar.

“Nisur edhe nga shqetësimet e ngritura nga raporti paraprak i misionit të OSBE/ODIHR-it, bëjmë të ditur se nga janari deri më 11 maj 2015 kur u publikua lista përfundimtare e zgjedhësve, kryetari i bashkisë Vangjush Dako, i cili është ligjërisht përgjegjës për hartimin e listave të zgjedhësve, është ai që komandon zyrat e gjendjes civile te Durrësit dhe në konflikt të plotë interesi si kandidat në zgjedhje, ka importuar rreth 2800 zgjedhës të rinj nga jashtë bashkisë së re të Durrësit, kur gjatë gjithë vitit 2014 kanë ardhur rreth 2200 zgjedhës. Regjistrimet e paligjshme janë shpërndarë nëpër qytetin e Durrësit duke përdorur dokumentacion fiktiv për vendbanimin. Ligji i gjendjes civile kërkon që këta zgjedhës të jenë realisht banorë në Durrës që të votojnë dhe jo thjesht të regjistrojnë kontrata fiktive qiraje apo sipërmarrjeje siç kanë bërë Dako dhe veglat e tij në nivel qendror e vendor”, denoncon shtabi i Dumës.

Sipas tij, zgjedhës te importuar janë regjistruar me kontrata fiktive qiraje të nënshkruara nga drejtori i Ndërmarrjes së Komunales se Plazhit që është nën varësinë e kryebashkiakut Dako, me kontrata jonoteriale, pa çmim, dhe mbi të gjitha në objekte jo vetëm të amortizuara por edhe të zëna që nga viti 1991 nga persona që presin tí privatizojnë.

“Persona të tillë janë vërtetuar që jetojnë në bashki të tjera në banesa me kushte shumë të mira. Kompani ndërtimi të afërta me kryebashkiakun Dako, nga të paktat që po ndërtojnë në Durrës, kanë nënshkruar shitjen me kontrata fiktive sipërmarrjeje të një numri të madh apartamentesh në pallate në ndërtim e sipër në një periudhë vetëm dyjavore. Qëllimi i vetëm ka qenë regjistrimi fiktiv i vendbanimit në Durrës. Në një rast në qendër të Durrësit, në zonën e qendrës së votimit 1462, në banesën me kod zgjedhor 015 janë regjistruar 48 të tillë, ndërkohë që punimet për ndërtimin e pallatit vazhdojnë. Në një garazh të braktisur në qendër të Durrësit, në zonën 1443 dhe me numër objekti 160, garazh i cili do të prishet brenda pak ditësh për të hapur një rrugë, janë regjistruar 24 zgjedhës me vendbanim fiktiv. Në një pallat pesë katësh të kohës së komunizmit, me vetëm 20 apartamente (zona 1484, banesa me kod 23) dhe ku deri në 2013 ka patur rreth 50 zgjedhës, janë shtuar fiktivisht edhe 150 të tjerë. Që kjo të mund të ishte e vërtetë, këtij pallati duhej ti shtoheshin edhe 10 kate. Verifikimet edhe nga media tregojnë që zgjedhësit e shtuar nuk jetojnë në atë pallat”, sqarohet më tej.

Shtabi i Dumës, pohon se disponohen prova për kontrata fiktive qiraje kur në një kontratë të vetme tre familje kanë vendosur të jetojnë së bashku në një banesë me hapësirë vetëm 15 m2. “Normativa shtetërore e banimit kërkon që një person i rritur të ketë në dispozicion jo më pak se 12 m2. Manipulimi skandaloz përfshin regjistrimin e 44 zgjedhësve me vendbanim në kontejnerët e portit (QV 1461, kodet 086, 091), 12 zgjedhës në hapësirë boshe (QV 1461, kodi fiktiv i banesës nr. 014), apo regjistrimin e një familjeje në mes të një lulishteje publike para ndërtesës së Postës (QV 1448, kodi fiktiv i banimit 032). Shembuj të tjerë regjistrimesh fiktive provojnë skandalin e paprecedent të manipulimit të listave nga Vangjush Dako dhe vartësit e tij. Por prova që këtë po e ndihmon vetë Kryeministri është transferimi dhe regjistrimi i vendbanimit të zgjedhësve që janë punonjës të OSHEE që punojnë në degë të tjera dhe jo në atë të Durrësit. Bashkë me familjarët e tyre, këta punonjës bëjnë qindra zgjedhës”, bën të ditur shtabi i Dumës.

Më tej theksohet se qëllimi kriminal i kësaj skeme do të realizohet nëpërmjet transferimit më autobusë në ditën e votimit të gjithë këtyre zgjedhësve mercenarë, vetëm që Vangjush Dako të rizgjidhet, kundër vullnetit të lirë të zgjedhësve durrsakë.

“Vangjush Dako, vartësit e tij, çdo zyrtar dhe çdo person që është përfshirë në këtë skemë kriminale, përfshirë zgjedhësit mercenarë, do të përballen me ligjin penal. Askush nuk mund të cenojë vullnetin e zgjedhësve durrsake për të ndryshuar qeverisjen vendore pas 15 vjet rrënim të vazhdueshëm, veçanërisht në 8 vitet e fundit nën arrogancën e Dakos”, përfundon denoncimin Shtabi i PD-së, Durrës.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb