Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Donald Trump mendon se mund ta shkarkojë prokurorin e posaçëm Robert Mueller, por nuk do ta ndërmarrë këtë hap tani.

Kjo sipas sekretares së shtypit Sarah Huckabee Sanders, e cila u tha të martën gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se zoti Trump “sigurisht që beson se e ka kompetencën “për ta shkarkuar zotin Mueller”, i cili po heton për një bashkëpunim të mundshëm të fshehtë të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.

Zonja Sanders tha se Presidenti beson se hetimi i prokurorit të posaçëm Mueller “ka shkuar tepër larg” pas bastisjes nga agjentët federalë të zyrave të avokatit të tij personal Michael Cohen. Bastisja u krye të paktën pjesërisht bazuar në një referim që ekipi i zotit Mueller i dërgoi një prokurori federal në Nju Jork, shkruan VOA.

Sipas rregulloreve të Departamentit të Drejtësisë, vetëm Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili mbikëqyr hetimin për Rusinë, mund ta shkarkojë zotin Mueller.

Numri dy i republikanëve të Senatit, John Cornyn i Teksasit, thotë se është i bindur se Presidenti Donald Trump nuk do ta shkarkojë prokurorin e posaçëm Robert Mueller.

Ai tha se ligjvënësit i kanë lënë të kuptohet Shtëpisë së Bardhë se shkarkimi i zotit Mueller do të ishte gabim. Senatori Cornyn thotë se pret që zoti Mueller do të jetë në gjendje ta përfundojë hetimin e tij rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe se shkarkimi i tij “do të kishte pasoja”, që as presidenti nuk mund t’i parashikonte dot.”

Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit Chuck Grassley tha se do të ishte “vetëvrasje” politike për presidentin Donald Trump nëse e shkakron prokurorin e posaçëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb