Policia e Shtetit tha se ka angazhuar më shumë se 400 forca të RENEA-s, ndërhyrjes së shpejtë
FNSH dhe policisë lokale, në operacionin për kapjen e personave që qëlluan me armë mbi efektivët e RENEA-s paraditen e sotme, kur për pasojë një efektiv u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Policia tha se janë identifikuar 21 shtetas si të dyshuar për sulmin dhe që aktualisht lëvizin të armatosur në brendësi të fshatit Lazarat. Policia publikoi emrat e tyre, ku vërehej mosha nga 17 deri në 21 vjeç. Policia e Shtetit u bëri thirrje shtetasve të përfshirë në një listën që u bë e njohur përmes medias të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse.

Tre prej tyre u paraqitën në qytete të ndryshme në median lokale të gatshëm për t’u vënë në dispozicion të policisë dhe deklaruan se nuk kishin lidhje me ngjarjen e sotme. Policia u kërkoi edhe banorëve si dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Lazarat të bashkëpunojnë me forcat e policisë. Policia e Shtetit përsëriti se është e vendosur për zbatimin me rreptësi të ligjit, deri në kapjen apo asgjësimin e grupit të armatosur, nëse i rezistojnë operacionit të policisë duke u kundërpërgjigjur me armë. Gjatë ditës, një pjesëtar i Forcave Speciale të RENEA-s humbi jetën në një përpjekje të armatosur në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, ndërkohë që dy pjesëtarë të tjerë të kësaj force policore morën plagë me armë zjarri pa rrezik për jetën. Policia tha se prej mesnatës, shërbimet policore në disa pika në rrethinat e këtij fshati kishin njoftuar se ishin qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Gjatë paradites në ndihmë të këtyre forcave kanë mbërritur edhe efektivët e forcës elitë të Policisë Shqiptare, RENEA.

Sipas policisë së Gjirokastrës, në afërsi të vendit të quajtur “Pularia”, në pjesën e poshtme të Lazaratit   mjeti “Volkswagen”, ku udhëtonin efektivët është qëlluar me breshëri armësh. Sipas burimeve zyrtare, për pasojë punonjësi i policisë Ibrahim Basha si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën, ndërsa dy efektivë të tjerë të RENEA-s janë transportuar me helikopterë drejt Tiranës dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se ka arrestuar një shtetas në Lazarat në automjetin e të cilit janë gjetur disa armë dhe municione, ndërkohë që ka shoqëruar edhe shtatë persona. Policia tha se ka nisur një operacion të gjerë për të arrestuar grupin e armatosur, që qëlloi mbi efektivat e policisë. Ngjarjet po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. 

Incidenti i djeshëm me humbjen e jetës së efektivit policor të forcave elitë të policisë, RENEA, është më i rëndi në fshatin Lazarat, i njohur për kultivimin masiv të marijuanës gjatë viteve të shkuara. Në qershor të vitit të kaluar, pas një përpjekjeje të armatosur disaditore, policia mori kontrollin në këtë fshat, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar incidentet e veçuara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: