Segmenti i amortizuar rrugor prej 10 kilometrash është kthyer në shqetësimin më madhor të banorëve të fshatit Çërrilë në Mallakastër. Prej dekadash, ky segment ndodhet në gjendje të mjerueshme, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e përditshme të banorëve. Ata pohojnë njëzëri se janë lënë në harresë nga shteti, pasi ankesat e tyre ndër vite nuk kanë sjellë asnjë reagim të institucioneve, teksa theksojnë se amortizimi i këtij segmenti jetik për zonën ka izoluar pesë fshatra.

Mungesa e rrugës ka sjellë largimin e të rinjve, mbylljen e shkollës prej 20 vitesh, ndërsa sot Çërrila ka mbetur shkretë, me 20 shtëpi ku kanë mbetur vetëm të moshuarit. Në kulmin e indinjatës, ata thonë se në fshat nuk qarkullojnë automjete për shkak të rrugës së amortizuar, ndërsa detyrohen t’i faturojnë kundrejt një shume prej 5 mijë lekësh, e papërballueshme për xhepat e tyre.

Kjo rrugë është kthyer në pengesë madhore edhe për transportimin e prodhimeve, kryesisht të ullirit. I mbajmë në krahë, thonë banorët, duke ua bërë përditshmërinë tepër të lodhshme.

Përballë premtimeve boshe, fshati i braktisur, pa asnjë zë fëmije, duket si një vend i harruar në mëshirë të fatit. Ndërkohë, sipas informacionit të marrë nga Bashkia Mallakastër, së shpejti do të fillojnë procedurat në kuadër të fazës së parë të projektit për rehabilitimin e kësaj rruge, segmenti Kapaj-Selitë, me gjatësi 3.5 kilometra.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb