TIRANE- Seanca për Tom Doshin është shtyrë në Gjykatën e Lartë, pasi do të shqyrtohet nga një kolegj tjetër penal. Dy deputetët e Doshit kanë kërkuar marrjen e provave të reja që para dy muajsh, ndërsa tani kanë paraqitur dy kërkesa: Marrjen në pyetje të kryeprokurorit Adriatik Llalla, që sipas Doshit e ka vënë fillimisht në dijeni për rastin; dhe së dyti kërkohet ballafaqim me ministrin Tahiri. Sipas avokatëve të Tom Doshit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar ndryshe publikisht dhe ndryshe para prokurorëve.

Nëse këto kërkesa miratohen, atëherë do t’i japin një tjetër rrjedhë ngjarjes, dhe hetimit.

“Janë një sërë provash që janë kërkuar gjatë hetimeve paraprake dhe kanë shumë rëndësi për ngjarjen, kanë shumë rëndësi për zbardhjen e skenarit, si dhe akuzës konkrete ndaj deputetit. Kemi kërkuar ripyetjen e një pjese të mirë të personave që tashmë janë pyetur. Kemi kërkuar ballafaqime, si dhe marrjen e disa provave të tjera, nëpërmjet letër porosisë nga Gjermania. I kërkohet në Shqipëri disa peronave të vetëdorëzojnë tabulatet telefonikë. Kërkesa është paraqitur në Gjykatën e lartë në maj të këtij viti, dhe gjykata duhet të kishte shqyrtuar menjëherë”, tha avokati i Doshit.

Ndërsa sipas avokatit Muçaj “Pavarësisht se ne kërkesën e kemi bërë para dy muajve, sot jemi në momentin kur Prokuroria e Përgjithshme e ka dërguar çështjen për gjykim në themel. Pavarësisht zvarritjeve për gjykimin e saj në kohë, rishqyrtimi në themel është vendim i drejtë”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb