Eksperti i ekonomisë Pano Sako, i cili në zgjedhjet e 25 prillit, ishte kandidat për deputet për Partinë Nisma Thurje, i ftuar në emisionin “Real Story”, tregoi të gjitha arsyet se përse kjo parti dhe oferta e tyre nuk i bindi qytetarët.

Sipas Sakos, e para ka të bëjë me kontrollin e pushtetit, ndikimin e tyre në administratë, e fuqinë financiare. E dyta sipas Sakos, është beteja elektorale që zhvillohet mes dy partive më të mëdha në vend, PD dhe PS, e së treti, hapësira e pakët mediatike që sipas tij i jepet partive të vogla. Ai tha se Nismës Thurje ka pasur mundësi të kufizuara për të shkuar tek qytetarët, e për t’i bindur ata për të votuar.

“Kjo është pjesë e një mekanizmi të madh që bllokon vrimat, hapësirat që mund të depërtoje e të dilte protagonizmi i të rinjve me oferta të reja politike. E para le të themi përdorimi i të gjithë aseteve publike, jo publike, mjeteve të komunikimit me publikut, parave publike, pjesëmarrja në hallkat e administrimit të votës. E dyta është që e gjitha precipiton në një duel të mirëfilltë mes dy partive të mëdha dhe e treta këtu bllokohet zëri, e për këtë një pjesë të madhe të fajit është media. Në mediat shqiptare është e pamundur, që në momentet e fushatës ke një ultra bombardim të medias, me pjesën klasike të partive politike që zënë 90% të asaj që i afrohet publikut shqiptar.

Anëtarët e tyre janë pjesë e ushqimit që i ofrohet publikut, në lajme, emisione, kudo. Janë aktorë që xhirojnë të njëjtin film herë pas here. Kjo sipas meje është realiteti se përse ne nuk kemi një ofertë politike. Tentativa ka pasur pafund. Këtë mekanizëm s’e përcaktova, sepse është dëshira, mekanizmi. Emisioni yt na ka pasur më shumë nga të tjerët. Ky është totali i minutazhit që kemi marrë në mediat kombëtare. Me kodin e ri elektoral është bërë shumë e vështirë për partitë e reja, të futen në fushatën elektorale. Unë s’di të kemi bërë gabim në mesazh.

Ne ishim oferta e re, e pikërisht, vjen një moment dhe që pjesa më e madhe e informacionit që përballen qytetarët, votojnë atë që shohin më shumë. Ne nuk luajtëm të rrëzonim qeverinë. Ata njerëz që besojnë se këtu duhet ndryshim nga themeli. Unë nuk besoj që këtu janë 10 mijë njerëz që e duan ndryshimin, janë shumë më shumë. Ne patëm mundësi të kufizuara për të shkuar tek ata. Kishte njerëz që nuk e dinin emrin e Nismës Thurje, sepse i mungonte informacioni”, u shpreh Sako.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb