Rruga Kardhiq-Delvinë, Bypass i Fierit, ai i Tepelenës, bashkë me koncesionet e Rrugës së Arbrit dhe Rrugës së Kombit ishin projektet më të financuara gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, bashkë me disa projekte të tjera të infrastrukturës, pavarësisht se pandemia Covid-19 kushtëzoi rëndë ecurinë e treguesve buxhetorë, si në të ardhura dhe shpenzime.

Sipas të dhënave të detajuara të Ministrisë së Financave, projekti më i financuar i investimeve publike në 4-mujor ishte rruga Kardhiq-Delvinë.

Nëpërmjet 4 loteve, ky aks mori 2,3 miliardë lekë financime buxhetore, nga zëri i investimeve kapitale. Financimet për Kardhiq-Delvinë zunë 15% të totalit të shpenzimeve për investime në këtë periudhë.

Projekti i dytë më i financuar ishte Bypass i Fierit, i cili është në përfundim me një shumë 1,4 miliardë lekë, ose rreth 9% e totalit të fondeve të shpenzuara për investime në  4-mujorin e parë.

Bypass-i i Tepelenës ishte projekti i tretë më i financuar, me një shumë totale prej 1 miliard lekësh, ose rreth 6,5% të totalit të fondit të akorduar për periudhën.

Ndërtimi me PPP i Rrugës së Arbrit ishte projekti i katërt më i financuar, me 630 milionë lekë në 4-mujor, teksa gjatë gjithë vitit ishin programuar të financoheshin mbi 1,5 miliardë lekë.

Në periudhën në fjalë, subvencionimi i kontratës koncesionare trafikut në Rrugën e Kombit ishte zëri i pestë më i financuar me mbi 367 milionë lekë, ose rreth 3 mln euro.

Inceneratori i Elbasanit mori 145 mln lekë, ose më shumë se 1 mln euro. Për inceneratorin e Fierit, këtë vit fondi i parashikuar është zero, ndërsa ai i Tiranës nuk raportohet tek shpenzimet kapitale, por tek ato korrente.

Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave për shumë nga projektet e financuara në 4-mujor nuk ishin programuar fonde, ndërsa projektet e programuara për financim kanë konsumuar një pjesë të madhe të fondeve vjetore, ndryshe sa ka ndodhur vitet e tjera kur në 4-mujorin e parë shpenzimet për investime shfaqin dobësi.

Gjatë 4-mujorit të parë të vitit 2020, shpenzimet për investime ishin 16 miliardë lekë, me një rritje 2,4% në raport me faktin e periudhës./monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: