Kryeinspektori i përgjithshëm Dashnor Sula thotë se Siguria në ndërtime duhet të trajtohet si një përgjegjësi e përbashkët dhe jo si detyrë e një institucioni të vetëm. Në tryezën shumëpalëshe me fokus “Siguria në Ndërtime dhe Reforma e Inspektimit Teknik në Shqipëri”, Sula theksoi se rreziqet nga katastrofat natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu kërkojnë një qasje të re.

“Sot nuk mblidhemi thjesht për të diskutuar një problem teknik. Mblidhemi për të folur për jetën e njerëzve. Qytetarët jetojnë, punojnë, mësojnë dhe marrin shërbime çdo ditë në këto ndërtesa. Zjarret, tërmetet, përmbytjet, temperaturat ekstreme dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike nuk mund të trajtohen më si ngjarje të rralla apo të jashtëzakonshme. Ato janë pjesë e realitetit të ri me të cilin duhet të planifikojmë, të ndërtojmë dhe të inspektojmë”, tha ai.

Sipas kryeinspektorit, siguria e një ndërtese nuk përfundon me kolaudimin, por duhet të garantohet gjatë gjithë ciklit të përdorimit të saj.
“Pyetja më e madhe është: a është ai objekt i sigurt gjatë gjithë jetës së tij? Siguria e ndërtesës nuk fillon dhe nuk mbaron në kantier. Kolaudimi është një moment i rëndësishëm, por nuk mund të jetë pika ku ndalet përgjegjësia. Një material që nuk i reziston zjarrit, një instalim elektrik i pakontrolluar apo një strukturë që nuk merr parasysh riskun sizmik mund ta kthejë sigurinë publike në një iluzion”, shprehet ai.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeinspektori Sula tha se Siguria në ndërtime nuk është luks por një detyrim ndaj qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb