Aksioni antiinformalitet i nisur nga qeveria për sipërmarrësit në vend vlerësohet si një nismë e dobishme nga bizneset që detyrimet e tyre ndaj shtetit dhe punëmarrësve i shlyejnë në kohë. Donika Mici sipërmarrëse fasonerie thotë se aksioni duhet të vazhdojë dhe të gjitha bizneset duhet të formalizohen.

“Një nga punët më të mira që po bën sepse nuk mund të mbahet një shtet vetëm me 500 biznese që paguajnë në mënyrë të rregullt. Ka shumë biznese që punojnë në evazion mua me duket një nga hapat më të mira që ka bërë qeveria që t’i vërë në linjë, duke u shtrirë taksat të gjithë shteti mbledh më shumë para dhe nuk na bie në qafë ne që i kemi gjërat e qarta dhe të deklaruara dhe nuk lëvizim dot nga ajo që i paguajmë shtetit dhe jemi të rregullt që i paguajmë ndër vite”, deklaroi Mici.

Donika Mici e ka nisur biznesin e saj që në vitin 1992. Kompania e saj ‘Donianna’ është prodhuesi më i madh këpucëve të lëkurës në Shqipëri. Me mbi 1600 punëtorë në të gjitha fabrikat Mici thotë se biznesi i saj vazhdon prodhimin është i rregullt ndaj shtetit dhe nuk ka asnjë detyrim të papaguar, ashtu sikundër u tha disa ditë më parë në media. Ajo sqaroi se të gjithë punonjësit paguhen nëpërmjet bankës dhe janë të siguruar.

“Donianna i ka paguar shtetit dhe ka deklaruar në shtet vazhdimisht të gjithë punëtorët e vetë, ka paguar tatimet, ka paguar tatimin në burim gjithçka, sigurimet shoqërore. Punonjësit tanë e marrin rrogën totalisht në bankë, kjo do të thotë që s’kemi informalitet. ‘Donianna’ nuk ka lidhje me këto as kupona, e vetmja gjë që ka ‘Donianna’ është import-eksport. Leket hyjnë me bankë. Taksohen me çdo formë dhe paguhet çdo lloj detyrimi. Unë nuk di të kem bërë ndonjëherë informalizëm me shtetin shqiptar”, deklaron Mici.

Sipërmarrësja sqaron se informaliteti dhe detyrimet janë dy koncepte të ndryshme ndaj qeveria duhet t’i ndajë ato.
“Duhet të ndajmë dy hapa informalitetin dhe detyrimet ndaj shtetit. Informaliteti është kur ti abuzon me shtetin dhe i fsheh shtetit taksat e tij dhe që të paguash me vonesë detyrimet e shtetit është një hap tjetër. Çdo lloj biznesi kudo në botë ka momentet e ngushta të veta të likuiditetit ndaj ligji është i përbërë, detyrimi në momentin që nuk paguan detyrimin në kohën e duhur ke gjobat interesat dhe je i detyruar që atë gjobe apo detyrim ti ta paguash. Kjo nuk mund të thuhet që ti je informal jo absolutisht. Ti je në vështirësinë X që kalon dhe ti rimerr veten”, deklaron sipërmarrësja.

Mici thotë se kontrolli i bizneseve duhet të kryhet në vazhdimësi pasi ka shumë biznese në Shqipëri që po lulëzojnë në mënyrë informale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb