TIRANE – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherazi dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi 70-vjetorin e çlirimit dhe 102-vjetorin e pavarësisë së vendit, duke zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. Shefi i opozitës u përkul me nderim dhe vendosi kurora me lule përpara dëshmorëve të rënë për Atdheun. Homazhe zhvilluan edhe ish-kryeministri Berisha dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, shefi i opozitës theksoi se kjo është një ditë që bashkon shpirtrat e shqiptarëve. Sipas Bashës, shqiptarët duhet të luftojnë fort dhe pa kompromis për të thelluar dimensionin e lirisë.

“Gëzuar këtë ditë të madhe të lirisë, sakrificës. Pavarësia e Shqipërisë, liria e Shqipërisë në gjithë dimensionet e saj i ka rrënjët në sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve. Sot është një ditë nderimi, së pari për sakrificën e tyre. Liria në të gjithë dimensionet e saj, liria si pavarësi, liria nga pushtimi nazifashist, nga diktatura komuniste kërkoi dhe mori sakrifica të mëdha nga ky komb. Të luftojmë fort dhe pa kompromis për ta thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë. Duke e bërë këtë nderojmë amanetin e mijëra dëshmorëve të kombit dhe i japim kuptimin e vërtetë pavarësisë dhe lirisë që festojmë sot”- deklaroi Basha.

Nderim dhe mirënjohje u është rezervuar sot edhe heronjve të kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Homazhe janë zhvilluar pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari  në 59 vjetorin e lindjes. Zoti Basha theksoi se 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës.

“28 nëntori është një ditë e madhe historike por është po kështu një ditë kujtese për një ndër heronjtë tanë kombëtarë që na mbush zemrat me krenari e mirënjohje të thellë për veprën e tij, komandantin legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari i cili lindi në 28 nëntor. Kjo simbolikë nuk është e rastësishme. 28 nëntori i pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntori i çlirimit të atdheut, 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës, pa pavarësinë e saj, pa dhënien fund të padrejtësisë shekullore të ndarjes, copëtimit dhe robërimit të kombit shqiptar e bash për këtë arsye sot, kremtimi i 28 nëntorit edhe si ditëlindje e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka domethënien e madhe se Shqipërisë e shqiptarëve, Kosovës e trojeve tona kudo nuk i kanë munguar e as nuk do i mungojnë kurrë bijtë e bijat të cilët janë gati të japin gjithçka për pavarësinë, për lirinë e fituar dhe për të zmbrapsur çdo kërcënim ndaj kësaj lirie si dhe për të çuar deri në fund, për të plotësuar pa asnjë rezervë amanetin e një kombi të bashkuar nën idealin e rilindësve, nën  flamurin e Skënderbeut, nën normat dhe standardet e BE.” – deklaroi zoti Basha.

Kryebashkiaku Basha ka vizituar sot familjet e dëshmorëve Akil Sakiqi, Bardhyl Salillari dhe heroit të demokracisë, Azem Hajdarit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: