Një katërvjeçar me 400 milionë euro në… xhep. Mbi 50 milionë euro neto në vit. Këto janë shifrat e çmendura që do të përfitojë Lionel Mesi nga kontrata e re që firmosi me Barcelonën deri në vitin 2021. “Football Leaks” ka zbuluar bonuset e majme që do të marrë argjentinasi në rast të arritjeve të objektivave me katalanasit.


Por nuk është ky lajmi i vetëm, pasi numri dhjetë i Barcelonës mund të përfundonte te Reali në vitin 2013. Ekipi rival i katalanasve kërkoi që ta transferonte duke i paguar klauzolën për 250 milionë euro. Lajmin e bën të ditur gazeta gjermane “Der Spiegel”.

ÇFARË SHIFRASH- Falë rinovimit që firmosi në nëntorin e kaluar, Mesi arriti të siguronte një pagë 71 milionë euro në sezon duke përfshirë 15% të të drejtave të imazhit dhe një bonus për firmën në kontratë, i cili shkonte 63.5 milionë euro. Për më tepër, argjentinasi mori edhe një shumë të majme për besnikërinë ndaj Barcelonës: nuk do të largohet më përpara se t’i përfundojë kontrata. Për këtë shifër do të marrë 70 milionë euro të tjera.
mesi-470x320
Por nuk përfundon këtu. Në këtë kontratë përfshihen edhe bonuse të tjera në lidhje me aktivizimet dhe triumfet. Sulmuesi i Barcelonës do të përfitojë 1.9 milionë euro nëse luan 60% të ndeshjeve në një sezon. Shifër që e ka fituar pa nisur sezoni sepse Mesi është një nga më të aktivizuarit në ekipin katalanas. Por nëse skuadra e tij do të triumfojë në Ligën e Kampionëve, Leo do të marrë 12 milionë euro. Me llogaritë në dorë, Mesi mund të përfitojë 122 milionë në një vit të vetëm.

E DONTE REALI- Bashkë me këto shifra zbulohet një prapaskenë në të shkuarën e Mesit. Bëhet fjalë për vitin 2013, kur një nga avokatët e Mesit, Inigo Suarez, i shkroi një e-mail në datën 23 qershor babait të tij se Reali i Madridit ishte gati të paguante klauzolën që ishte e vlefshme atëherë 250 milionë euro.

Aktualisht, klauzola që e mban të lidhur lojtarin me Barcelonën është 700 milionë euro, por palët kanë arritur një marrëveshje që sulmuesi nuk do të largohet përpara se të përfundojë kontratën me katalanasit. Kjo shifër është e vlefshme vetëm nëse drejtuesit vendosin ta largojnë vetë atë.

Burimi:http://www.panorama.com.al/sport/prapaskena-reali-donte-mesin-tani-perfiton-100-milione-euro-ne-vit/

(e.k/BalkanWeb)