TIRANE- Nuk ka shkuar siç duhej takimi i kryeministrit Edi Rama me fermerët e Manzës në Durrës. Gjatë fjalës së tij, Rama është ndërprerë disa herë nga banorët e pranishëm, të cilët kanë ‘lëshuar’ kritika ndaj qeverisë. Teksa fliste për reformat që kishte ndërmarrë dhe po realizon qeveria, kreu i Ekzekutivit është ndërprerë nga një i pranishëm ‘socialist i flakët’, që siç pohoi edhe kryeministri, se ishte i dehur. Por nuk ka mjaftuar me kaq, pasi personi në fjalë e ka ndërprerë edhe disa herë të tjera Ramën, ndërsa ky i fundit kërkoi që ta largonin nga salla. Po ashtu, një i moshuar tjetër nuk nguroi që të kritikonte qeverinë për reformat që kanë nisur, ndërsa mori si shembull rastin e një kovaçi, dje dhe sot.

INCIDENTI
Rama: E vetmja gjë që na pengon është që të rrimë të presim dhe këto gjera t’i bëjë dikush tjetër. Duhet t’i bëjmë ne sëbashku. (Dikush flet në sallë). Atëherë, duke të kërkuar ndjesë njëherë, dhe duke parë gjendjen tënde, do të lutesha që të më lësh të mbaroj. Dhe të vazhdoj me të tjerët.

Banori 1: Jam një socialist…
Rama: Nuk ta jap fjalën, kaq, mos e zgjat. Kush e do fjalën nga ju që të bëjmë një bashkëbisedim normal. Dhe të lutem mos na shqetëso më. E di që je shumë socialist, por kjo nuk të jep të drejtë që të…

Banori 1: Nuk flas më..
Rama: Të lutem tani, të lutem. S’ke ardhur nga puna, por nga rakia. Kush e do fjalën. Po, jepjani mikrofonin.
Banori 2: Mirë se erdhe Zoti Kryeministër. Do kisha folur prapë, por ka njerëz që na e prishin.
Rama: S’ka gjë se s’na e prish, se dhe ai shoku jonë është…Shiko si qesh.
Banori 2: Kam vetëm një problem, e kam ngriur prej 25 vitesh, dhe prap nuk është vënë uji në zjarr. Ky popull vuan për një ambulancë. Ka pasur ambulancë, por se nga janë shitur. Janë pasuruar. Këtu tek ne janë bërë nga më të zezat. Ta dish kryeministër. Kam shkuar tek Zoti Vangjush në zyrë, më ka prit s’më ka pritur, e di vet ai. Faleminderit. Mirupafshim.
Rama: Të dëgjova…Mirupafshim jo, se këtu jemi prapë, (qeshin të pranishmit)Do them diçka, se na ndërhyri pak ky socialisti i flakët këtu, dhe shumë i ndezur nga avujt. Fshati nuk është vetëm toka, uji, por edhe shërbimet.

Një banor tjetër shkakton tensione, pasi tenton të flasë sërish duke marrë mikrofonin.
Rama: Të lutem jepja mikrofonin dikujt tjetër, mos na ndërprit më. Xhaxha të lutem, na lërë të merremi me misrin, me grurin dhe jo me deputetet.
Banori 3: As reformat mos t’i zëmë në gojë?
Rama: Jo mo fol për ça të duash.
Banori 3: më fal që po të them ty, se ti je kryeministër e s’do të jap mend ty
Rama: Unë për mend kam ardhur këtu.
Banori 3: Unë nuk kam qen kovaç. Por kovaçi, ata të parët që nuk kishin energji elektrike, kishin një kacek aty, e vinin në zjarr hekurin dhe më pas e kthenin në sëpatë e shatë. Kjo duhet të shkojë në fund, kur të bëhet reforma. Faleminderit për mirëkuptimin.
Rama: Tani xhaxha…ulu tani. (Tentojnë ta largojnë nga salla të moshuarin). E kuptova atë të kovaçit, por ka 25 vite që nuk u bënë gjërat me teorinë se ‘nuk është momenti’, ose ‘ta shohim’. Kjo histori duhet të mbaronte dhe ka mbaruar. Unë nuk kam marrë votën që ta shty dhe ta lë diçka për vitin tjetër.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: