Nga: JETON SELIMI *

Mançester Siti ia ka  dalë që të kualifikohet për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, ndërsa ka mposhtur në Romë verdhekuqtë e Rudi Garsias me rezultatin e pastër 2-0. Kampionët e Anglisë vinin si ekipi më pak i favorizuar, për të kaluar më tej për shkak të një nisjeje shumë të keqe të këtij Championsi, ndërsa në fushën e tyre qenë mundur madje nga rusët e CSKA-së. Por ndonëse Roma luante për dy rezultate, Siti ka bërë “gjëmën”, kur në pjesën e dytë ka ndëshkuar të zotët e shtëpisë. Në fillim ishte Samir Nasri që me një silur të vërtetë shënon një gol të shkëlqyer nga jashtë zonës në minutën e 60-të, ndërsa Zabaleta realizon golin e sigurisë vetëm pak minuta përpara fundit, duke çuar në delir 4 mijë tifozët që kishin ardhur nga Anglia. Roma, nga ana tjetër, duhet të luajë në Europa Ligë, pasi e mbylli grupin në vendin e tretë, në të njëjtën kuotë pikësh sa CSKA-ja, 5, por me rezultate më të mira në sfidat direkte. Pikërisht rusët e CSKA-së luanin në Mynih, me Bajernin që ishte kualifikuar, por që bëri detyrën, duke fituar 3-0 dhe duke nxjerrë kampionen e Rusisë jashtë Kupave të Europës në grupin E.
Në grupin F Barcelona shkëlqeu në takimin me Paris SG, duke marrë vendin e parë në grup pas suksesit 3-1 falë golave të tre xhevahirëve të sulmit, Mesi, Nejmar dhe Suarez. Ibrahimoviç i dha epërsinë të tijve, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij, por Mesi u kundërpërgjigj menjëherë me barazimin. Pak çaste më pas ishte Nejmar që realizoi me një goditje fantastike në hyrje të zonës, duke merituar dhe ovacionet e “Camp Nou”. Ndërsa në fraksionin e dytë shënoi dhe Luis Suarez, që vulosi rezultatin përfundimtar në 3-1. Në sfidën tjetër Ajaksi vazhdon rrugëtimin në Europa Ligë, pas suksesit 4-0 ndaj Apoel Nikosisë.
Zhoze Murinjo i bën një dhuratë Di Mateos, duke mposhtur me rezultatin 3-1 Sportingun e Lisbonës, i cili nga ana e tij udhëtonte në “Stamford Bridge” për të marrë një pikë, që mund t’i kalonte më tej. Por blutë e Londrës do të shënojnë dy gola shumë të shpejtë, kur brenda 16 minutave do ta çojnë ndeshjen në rezultatin 2-0. Sesk Fabregas nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas Andre Shyrrle do t’u japin avantazhin bindës të zotëve të shtëpisë. Megjithatë, portugezët do të kërkojnë që të ndryshojnë diçka, ndërsa do të ngushtojnë në 2-1, por Obi Mikel do të vrasë ëndrrat e tyre në Champions, teksa do ta vazhdojnë në një ligë më poshtë ëndrrën e tyre europiane.
Por nga kjo humbje e Sportingut ka përfituar Shalke 04. Gjermanët kanë fituar 0-1 me shumë vështirësi në fushën e sllovenëve të Mariborit. Golin e vetëm të takimit e shënoi Mak Mejer në të 62-ën, por tri pikët u siguruan të besuarve të Di Mateos vendin e dytë.
Ndërkohë, në grupin H, Porto barazoi 1-1 me Shaktar Donjeckun në një ndeshje pa histori, ku të dyja ekipet ishin kualifikuar, ndërsa në shtëpi Atletik Bilbao mundi 2-0 Bate Borisovin, duke siguruar vazhdimësinë në Europë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: