Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “FrontLine”, të gazetares Marsela Karapanço. Korreshi, nuk la pa komentuar situatën e brendshme në PD.

Ai tha se Partia Demokratike nuk e ka luksin të jetë e përçarë, por duhet të jetë më e bashkuar se kurrë.

Deputeti deklaroi se çfarëdo zhvillimesh të ndodhin, ai nuk do të largohet nga Partia Demokratike apo të japë dorëheqjen e kuvendit. Sakaq, Korreshi tregoi se kryedemokrati Lulzim Basha, nuk ka etiketuar si “llumi” i partisë militantët, por ata persona që dikur kanë qenë funksionarë të lartë e tanimë e kanë braktisur partinë dhe janë bashkuar me kundërshtarët.

Saimir Korreshi: Partia Demokratike nuk e ka luksin të ‘pastrojë’ asnjërin prej të dyve, as Bashën as Berishën. PD ka nevojë për forcën e të dyve. Ne nuk kemi luksin për të larguar askënd nga PD. Pyetja konkrete është se me kë je ti me ‘Lulin apo Saliun’. Por unë jam me Partinë Demokratike, e theksoj, s’kemi luksin të humbasim asnjërin prej të dyve. Kryetari Basha nuk ka thënë që pezullon doktor Berishën. Kur ne hyjmë në parlament firmosim një dokument ku themi se ku do të aderojmë, unë kam thënë që do të aderoj te PD. Kryetari ka marrë përgjegjësinë e vet personale për atë që ka ndodhur. Ka ndodhur një reaksion për disa faktorë. Të gjithë ne kemi ngritur gishtat në nder të Berishës, por unë mendoj që sot po loz një shah, janë dy mbretër që po lozin ndaj njëri-tjetrit.

A ka mbaruar epoka e zotit Berisha?

Saimir Korreshi: Zoti Berisha deklaroi që nuk do të kthehet në politikë, por unë mendoj që ik dhe hajde nuk i bën mirë gjësë. Unë kam ndjerë te demokratët për ikjen e të gjithë figurave që deri dje kanë qenë tepër të lartë në PD. Doktor Berisha nuk ka qenë asnjë jashtë, se ka qenë gjithmonë pjesë e PD, ndërsa të larguarit e tjerë, nuk i bëjnë mirë fare PD, duhet t’i kthejnë borxhin PD që gjithë këto vite ka investuar në kohë. Të dalësh kundër PD dhe të shkoja në një anë të kundërt politike, unë s’do e bëja kurrë.

Nëse do të ketë rikthim të Berishës në krye të PD ju do të jeni në kuvend?

Saimir Korreshi: Çfarëdolloj do të ndodhi unë do të jem i PD. Edhe nëse do të jap dorëheqje vetëm nëse ma kërkon kryesia apo elektorati. Por kontributi dhe forca ime do të jetë çdo ditë në PD, sepse ka pasur shumë drejtues që mezi kanë pritur të lëne PD në pozitë vetëm e vetëm që të kthehen ata. Ka një vendim personal. Unë e bëj shpesh këtë pyetje, ku po shkojmë? Ne si PD po humbim dita ditës kohë duke u marrë me këta që po vjedhin dita ditës lumë. Nuk mund të mos më trishtojë se çfarë po ndodh. Nuk mund të ve pikëpyetje se çfarë do të ndodhi. Duhet një gjuhë tjetër për të ardhur te bashkimi. PD është e lidhur ngushtë me profilizimin e SHBA.

Llumi në PD?

Saimir Korreshi: Me “llum” duhet nënkuptuar të gjithë ata që janë akuzuar se kanë shërbyer ndaj PD, Basha e ka pasur vetëm për këtë, asnjë militant, nuk gjykohet se është llum. Vota është e shenjtë, ne jemi të barabartë te vota. Këto situata kam frikë se do të na lenë në opozitë, sepse fjala tjetër po këndon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: