Tërmeti i së hënës në Turqi dhe Siri ka tronditur botën, ndërsa numri i viktimave ka kaluar tashmë 23 mijë. Pamjet e shpërndara në rrjet duken më shumë se ato të skenave të një shkatërrimi apokaliptik.

Kjo ka krijuar një problem të madh, ku autoritetet përveç operacioneve të kërkim shpëtimit që vijojnë, u duhet të gjejnë zgjidhje edhe për numrin e lartë të trupave të viktimave, në një kohë kur tashmë nuk ka më vend në varreza.

Momentalisht trupat po mblidhen në stadiume dhe parkingje për t’u dhënë të afërmve mundësinë që të identifikojnë shpejt të dashurit e tyre përpara se t’u jepet certifikata e vdekjes.

Ndërkohë po bëhet një punë kolosale për sigurimin e arkëmorteve të nevojshme për aq shumë trupa si dhe ka nisur hapja e varreve masive.

Në varrezat Nurdağı në provincën turke të Gaziantep, në kufirin me Sirinë, së shpejti nuk do të ketë më vend për të vdekurit. Varret e sapo gërmuara janë shënuar me gurë varri bosh, apo me vetëm copa pëlhure të grisura të mbledhura nga rrobat e viktimave për t’i identifikuar ato.

Në rrugë, dhjetëra trupa shtrihen të grumbulluar mbi njëri-tjetrin në një varg kamionësh, në pritje për t’u varrosur. Të paktën pesë imamë po kryejnë ritualet e fundit duke u përpjekur të bëjnë sa më shumë në një kohë kaq të shkurtër, duke kryer ritet e fundit ndonjëherë edhe për 10 persona në të njëjtën kohë.

“Dyzet për qind e njerëzve që jetonin në këtë qytet mund të largoheshin,” tha Sadık Güneş, një imam në Nurdağı. Shtëpia e tij ishte pranë xhamisë, e cila u shemb. Pa një vend për të kryer ritualet e fundit, ato kryhen tashmë në qiell të hapur.

“Kam humbur numërimin e trupave që kemi varrosur që nga e hëna. Ne ndërtuam një zgjerim të varrezave, por ka ende njerëz nën rrënoja. Ne do t’i varrosim edhe ata pasi të jenë gjetur. Edhe në orët e vona të natës po i varrosim trupat me ndihmën e qytetarëve që vijnë për të na ndihmuar”, tha Güneş.

Në Kahramanmaraş, punonjësit e urgjencës vazhdojnë të kërkojnë në rrënoja, duke gjetur shpesh vetëm pjesë të trupave, çka vështirëson edhe identifikimin e tyre. Një punonjëse e urgjencës përshkroi se si ishte përpjekur të identifikonte një krah të prerë, duke ua treguar atë familjeve të personave të zhdukur me shpresën se mos manikyri i mbetur në gishta mund të ndihmonte në identifikimin e pjesës së trupit të një prej viktimave.

“Këtu kam jetuar. Sapo i blemë apartamentet pak javë më parë. Një për familjen dhe fëmijët e mi, një për babin dhe nënën time. Nëna dhe babai im jetonin dy ndërtesa më larg. Ata u zhvendosën këtë javë. Madje i kemi vendosur perdet në apartament me nënën time disa ditë më parë. Pas tërmetit, shtëpia e mamasë dhe babait tim u shemb. Gërmova rrënojat me duar dhe nxora nënën dhe babanë. Më pas mu duhej t’i varrosja”, tha Sadi Uçar, një nga të mbijetuarit.
Ikja nga Jindires pas tërmetit solli kujtime të dhimbshme të evakuimit të familjes nga qyteti i tyre në Ghouta lindore, një periferi e Damaskut e shkatërruar nga sulmet ajrore të qeverisë siriane dhe një rrethim i zgjatur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb