Nga: Ben Blushi
MONIKA LUBONJA, NJË JETË ME TIGRAT
Monika Lubonjën e takova në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Ajo piu dy kafe. Unë një lëng panxhari me portokall.
Ç’bën këtu, e pyeta.
Më kanë caktuar të merrem me kafshët, tha Monika.
Po çfarë u bën ti kafshëve?
Unë kujdesem për to, siguroj çdo gjë që u duhet: ushqim, pastrim, muzikë, shoqëri, ilaçe.
Po kur sëmuren kafshët, si ia bën?
Kemi një spital brenda në Kopshtin Zoologjik, tha Monika.
Pra ti çdo ditë merr raport shëndetësor për gjendjen e tyre, e pyeta.
Unë çdo ditë e di nëse një rosë e ka ngrënë macja, nëse një sorkadhe ka thyer këmbën, nëse një ari është me temperaturë apo nëse ndonjë ujk ndjehet i vetmuar.
Ti nuk je as infermiere, as psikologe, thashë unë, s’po kuptoj çfarë pune bën këtu?
Unë drejtoj Kopshtin Zoologjik, domethënë jam Drejtoresha e Kafshëve të Tiranës, tha Monika.
Po pse t’i besuan ty kafshët e këtij qyteti, e pyeta.
Ndoshta menduan se pas eksperiencës që kam me njerëzit, mund të zbus edhe kafshët, tha Monika.
Kush mendon se janë më të dëmshëm, kafshët apo njerëzit?
Natyrisht njerëzit, tha Monika.
Po pse mendon kështu, e pyeta.
Po pse ti si mendon, ma ktheu Monika.
Unë nuk i kam qejf kafshët, por më shumë u trembem njerëzve, i thashë.
Mua kafshët nuk më kanë bërë asnjë dëm, tha Monika.
Po njerëzit, çfarë dëmi të kanë bërë?
Jeta ime nuk ka qenë e lehtë, tha Monika, pasi më dëmtuan dhe më lanë pa punë, njerëzit më detyruan të jetoj në një Kopsht Zoologjik.
Kush të pëlqen më shumë nga kafshët e Kopshtit Zoologjik?
Luani dhe tigri.
Çfarë do të doje të ishe?
Shiko të them një sekret, tha Monika.
Ma thuaj, i thashë.
Kam një plan,
Çfarë plani ke, e pyeta.
Të gjitha kafshëve këtu do t’u vendos nga një emër.
Çfarë emrash do t’u vendosësh?
Emrat e disa aktorëve dhe të disa njerëzve me të cilët qëndrova në Big Brother për 134 ditë, tha Monika.
Me sa shoh, gjithë njerëzit që janë sjellë keq me ty, do t’i kthesh në kafshë, thashë unë.
A sikur ta kisha në dorë, tha Monika.
Kështu sillej Circe me njerëzit që kishte inat, thashë unë, i kthente në kafshë.
Shaka bëra, tha Monika, unë nuk jam shtrigë.
Më thuaj ndonjë emër për kafshët e tua.
Po mendohem, tha Monika, po nëse edhe ti ke njeri inat, ma thuaj t’ia vendos emrin e tij ndonjë kafshe.
Do na duhej një pyll, thashë unë.
E rregullojmë, tha Monika, heq unë emrin e ndonjë aktori dhe ta jap ty t’ia vendosësh një gjarpri.
Mirë me aktorët, po me ata të Big Brother çfarë ke, e pyeta.
Ka disa njerëz nga ata që nuk do doja t’i kisha njohur, tha Monika.
Nëse do e kishe në dorë, kë do shpallje fitues të Big Brother, e pyeta.
Beniadën, tha Monika.
Edhe unë, i thashë.
Nuk kam shkuar mirë më Beniadën, por do doja ta fitonte një vajzë, tha Monika.
Ku ndryshon Big Brother nga Kopshti Zoologjik, e pyeta.
Pak a shumë e njëjta gjë është, tha Monika.
Këtu të gjitha kafshët janë të barabarta, nuk ka as fitues, as humbës, thashë unë.
Unë e humba Big Brother sepse u solla si njeri, ata që u sollën si kafshë fituan, tha Monika.
Unë mendoj se ti ke fituar shumë nga Big Brother, i thashë.
Kur hyra aty isha në krizë, tha Monika, tani jam më mirë.
Sepse e the vetë, je më e qetë me kafshët se me njerëzit, thashë unë.
Dashuria e njerëzve është e përkohshme, kurse kafshët kur të duan, të duan përgjithmonë, tha Monika.
Do kishe bërë dashuri në Big Brother, e pyeta.
Nëse do kisha gjetur një njeri që e doja, po, tha Monika.
Me kë jeton tani, e pyeta.
Tani jam vetëm, tha Monika.
Po me artin i ke mbyllur punët?
Jo, po bëhem gati për një musical për Piter Panin.
Pse ke zgjedhur Piter Panin?
Po a nuk e kupton që unë brenda jam ende një fëmijë, tha Monika.
E kuptoj, i thashë, dhe kjo të shkon.
E po, në rrjete sociale nganjëherë më shajnë, tha Monika.
Çfarë të thonë, e pyeta.
Më quajnë plakë, tha Monika.
Po ti si ndjehesh?
Ndjehem e re, tha Monika, mamaja ime mendon se unë nuk jam rritur akoma.
Hajde më trego kafshët, thashë unë.
Çfarë do të shohësh, tha Monika.
Ndoshta tigrin, i thashë, dua të të bëj një fotografi me tigrin.
E di ç’më ndodhi një ditë, tha Monika.
Ma trego, thashë unë.
Erdhi një burrë dhe më tha: tigri nuk ka dhëmbë.
Çfarë i the ti?
I thashë afrohu pak te gardhi dhe zgjate dorën ta provosh nëse ka apo nuk ka dhëmbë tigri im.
U afrua?
Sigurisht që jo, tha Monika.
Meqë ra fjala, ka dhëmbë ky tigri jot apo jo, pyeta unë.
A do ta provosh dhe ti, tha Monika.
Jo jo, thashë unë, faleminderit.
Qenke frikacak, tha Monika.
Si të gjithë burrat, i thashë.
Burrat kanë frikë nga tigrat, kurse tigrat kanë frikë nga gratë, tha Monika.
Që burrat kanë frikë nga gratë, këtë e di, thashë unë, po tigrat nuk besoj.
Duhet të më besosh, tha Monika, kam një jetë që jetoj me tigrat.
Atëherë të besoj, i thashë unë, burra të mirë dhe tigra të këqij nuk ka.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb