Emisioni Vetting News24

Në dhjetor 2021, Ministria e Infrastrukturës do të shpallte garën për tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me fond limit 196 milionë lekë ose gati 2 milionë euro. Në tender do të merrte pjesë bashkimi i kompanive “Stucky” ltd dhe “Gjeokonsult & CO”, të cilët do të garonin me bashkimin e kompanive “Hill International N.V” dhe “Net-Group”. Dyshimet e para për favorizim fituesi u shfaqën kur kompanitë ““Stucky” LTD dhe “Gjeokonsult&CO” u skualifikuan pasi nuk plotësonin një nga kushtet e kërkuara në tender, duke i lënë rrugën e lirë “Hill International N.V” dhe “Net-Group”, të cilat në prill 2022 do të shpalleshin fitues me ofertë 194 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro.

“Dua të falënderoj të gjithë supervizoret, kompaninë Hill e cila punon këtu prej kohësh dhe siç e kemi thënë, këtu kemi skuadrat e kompanive turke, skuadrat e kompanive shqiptare dhe supervizionin grek të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer . duket si një forcë ballkanike që po ndërton një tunel që quhet Long Range, pra këto 6 km dhe ndërkohë dua të falënderoj të gjithë ekipet e ARSH-së që kanë qenë gjithë kohën këtu në mbështetje dhe kanë mbikëqyrur punimet për të arritur në këtë moment”, do të shprehej ministrja Belinda Balluku nga kantieri i punimeve në tunelin e Llogarasë, e shoqëruar nga ish kreu i ARRSH-së Evis Berberi.

Në deklaratën e saj, në fund të janarit të vitit të kaluar, zv/kryeministrja Balluku, duke përmendur “Hill International N.V” për supervizimin, do të anashkalonte kompaninë “Net-Group” sh.p.k, e cila është në pronësi të Valter Begaj, ish-ortak i ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, në kompaninë “DAAM”. Natën e 13 marsit 2024, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bastisnin banesat e Evis Berberit dhe Valter Begajt, duke i arrestuar të dy nën akuzën për korrupsion dhe pastrim parash.

Ky i fundit, biznesmen dhe ortak me Berberin, është personi kyç që është nën akuzë nga SPAK, pasi ka pastruar paratë e përfituara përmes tenderave të paligjshëm nga ish-kreu i ARRSH-së. Njohjet mes Begajt dhe Berberit janë të hershme, ato datojnë përpara se ish drejtori i ARRSH-së të ngjiste shkallët në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Me emërimin në krye të ARRSH-së, Berberi do ti shiste aksionet e kompanisë “DAAM”, për 1.7 milionë euro, ndërsa vet i kishte blerë për 800 euro. Por, Begaj ishte pronar edhe i kompanisë Net-GroupP (ish “B-VAAL ENGENIERING”), e cila rezulton dhe kompania që ka fituar tendera në mënyrë të paligjshme nga Berberi.

Këto të ardhura transferoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania “DAAM”, e cila sipas Prokurorisë së Posaçme vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai u kishte bërë aksioneve. Kompania ‘Net-Group’ në këtë periudhë ka marrë një numër të lartë tenderash, ndërsa SPAK ka listuar vetëm 3 tendera me vlerë rreth 1 milion euro. Nga informacionet zyrtare bëhet fjalë për tendera të firmosur në një datë, më 18 prill 2022 me vlera 270 mln lekë, 450 milionë lekë dhe rreth 400 milionë lekë, të cilat koincidojnë edhe me tenderin për mbikëqyrjen e Tunelit të Llogarasë. Pasi fitoi këto tendera, “Net-Group”, përmes transaksioneve, i kalonte të ardhurat tek kompania ‘DAAM’ shpk, që Evis Berberi e zotëronte në mënyrë indirekte. Këto fitime përllogariteshin në vlerën 223 milionë lekë ose gati 2.2 milion euro.

Nga burime konfidenciale, “Vetting” mëson se SPAK ka zgjeruar hetimet, duke vendosur në lupën e investigimit edhe tenderin për supervizimin e punimeve të Tunelit të Llogarasë, që është fituar nga Valter Begaj, miku i Evis Berberit, ish krahu i djathtë i Ballukut.

Tenderi I Llogarase Supervizori Open Data
Tenderi I Llogarase Supervizori Open Data
Tendera Daam Valter Begaj
Tendera Daam Valter Begaj

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb