Qeveria duket se do të përsërisë edhe këtë vit skemën e shpërblimeve për festat e fundvitit për një sërë kategorish, duke ndjekur të njëjtën filozofi të skemës së kaluar.

Burime zyrtare nga qeveria thanë për gazetën “Panorama” se kanë nisur llogaritjet për efektet e shpërblimeve, ndërsa vendimi pritet të merret brenda 2 javësh, ku prioritet është ndarja e parave për pensionistët.

Fatura financiare e shpërblimeve të pensionistëve do të llogaritet në përfundim të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Edhe për këtë vit, në skemën e shpërblimeve, përveç pensionistëve, të përfshira do të jenë edhe familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.

Shpërblimet për punonjësit e administratës pritet të shpërndahen për profesionet me merita të veçanta. Nuk dihet ende se cilët sektorë do të zgjedhë qeveria për dhënien e bonusit, sipas meritës. Ndërsa për bonuset e administratës, qeveria përdor fondin e veçantë. Sipas tabelave të buxhetit të publikuara nga Ministria e Financave deri në muajin tetor, ky fond është 228 milionë lekë.

Vjet, shpërblimi për pensionistët dhe administratën qeverisë i kushtoi 15 milionë dollarë. Fondi i miratuar në buxhet ishte 1,3 miliardë lekë. Vendimi për shpërblimet vjet u mor më 29 dhjetor nga Qeveria. Pensionistët në të gjithën vendin përfituan 2 mijë lekë shpërblim për festat.

Konkretisht 372.932 pensionistë, që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar përfituan vjet 2 mijë lekë shpërblim, si dhe 145.580 pensionistë përfituan shpërblimin në të njëjtën masë.

Nga skema e vjetshme përfituan edhe 84 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, 81 kryefamiljarë që përfitojnë nga skema e energjisë elektrike, si dhe 68 mijë nga kategori të veçanta, në statusin e personave me aftësi të kufizuara.

Përfitues ishin edhe 3,595 persona që marrin trajtim të veçantë për punën e kryer në miniera dhe në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe 10600 persona që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Vlera e shpërblimit për këto kategori ishte 2 mijë lekë.

Për administratën, qeveria vjet zgjodhi mjekët, infermierët dhe më­ suesit si kategori me merita të veçanta. Shpërblimi për mjekët dhe mësuesit ishte 40 mijë lekë, ndërsa për infermierët 30 mijë lekë. Për nxënësit ekselentë qeveria shpërndau 40 mijë lekë shpërblim, ndërsa për studentët 50 mijë lekë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: