TIRANE

Sokol Dedja është emëruar zëvendës-ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, detyrë që më përpara e mbante Gent Cakaj, i cili aktualisht mban postin e ministrit të jashtëm me kompetencat e plota të deleguara nga kryeministri Edi Rama.

Sokol Dedja ka qenë më herët drejtor për BE-në pranë Ministrisë së Jashtme dhe emërimi i tij si zv.ministër është marrë gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

Kujtojmë se Presidenti Ilir Meta refuzoi të dekretojë si ministër të jashtëm Gent Cakajn, ndërsa pas këtij veprimi të Presidentit, kryeministri Edi Rama vendosi të marrë vetë këtë post. Pas betimit edhe si ministër i jashtëm në presidencë, Rama i delegoi kompetencat Gent Cakajt duke e bërë ‘de facto’ ministër të jashtëm.

KUSH ËSHTË ZV.MINISTRI I RI

Sokol Dedja ka marrë titullin “Doktor” (2012) në Universitetin e Ghent, Belgjikë dhe titullin “Master” në Studime të BE (2003) në Universitetin e Sussex, Britani e Madhe. Diplomën në Histori Evropiane (2000) e ka marrë në Universitetin e Napolit Federico II, Itali.

Drejtimet e kërkimit: Veprimtaria kërkuese e Dr. Sokol Dedja përdor kuadrin analitik të ‘Evropianizimit’ për të vlerësuar nëse dhe si ‘kushtëzimi’ i Bashkimit Europian ka sjellë ndryshim në politikat e vendeve kandidate, kryesisht lidhur me migrimin. Qasja e tij është ndër-disiplinore, bazuar në konceptet dhe teoritë e së Drejtës së BE, Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Politikës së Krahasuar dhe Politikave Publike.

Eksperienca: Dr. Sokol Dedja e ka aplikuar përvojën e tij kërkimore në praktikën e politikë-bërjes, si diplomat karriere në Ministrinë për Evropën dhe Punët të Jashtme, ku është drejtor i Drejtorisë së Bashkimit Evropian. Përvoja e tij në mësimdhënie ka përfshirë rolin si lektor i kurseve ‘Struktura dhe Institucionet e BE’, ‘Organizatat Ndërkombëtare’ dhe ‘E Drejta Ndërkombëtare dhe Diplomacia’ në Universitetin e New York Tirana dhe si lektor i ftuar mbi Politikën e Zgjerimit të BE për kursin ‘Master in EU Studies’ në Universitetin e Ghent (Belgjikë), Qendra për Studimet e BE.

Është lektor në “Shkollën për Trainimin e Administratës Publike” për trainimin e nëpunësve civilë mbi çështjet e integrimit europian. Publikimet: Ka publikuar disa artikuj në revista shkencore ndërkombëtare, si European Journal of Migration and Law, East European Politics and Societies, Journal of Southeast Europe and Black Sea Studies.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb