Së paku tetë persona kanë humbur jetën, ndërsa 17 të tjerë janë plagosur nga një autobombë që tronditi kryeqytetin somalez, Mogadishu, theksuan zyrtarët.

Një polic tha se sulmi kishte në shënjestër një autokolonë të misionit paqeruajtës të Bashkimit Afrikan në Somali (AMISOM).

“Nga sulmi me bombë ka shumë viktima, por mund të konfirmoj se të paktën tetë persona u vranë dhe më shumë se 17 të tjerë u plagosën”, tha ai.

Të vdekurit dhe të plagosurit përfshijnë studentë dhe mësues që ishin në një shkollë pranë vendit të shpërthimit, shtoi ai.

Sipas mediave lokale, policia konfirmoi gjithashtu se objektivi i sulmit ishte një autokolonë që i përkiste një firme lokale që “mbron OKB-në”, por nuk dha detaje nëse ndonjë punonjës i OKB-së u vra apo u plagos në shpërthim.

Abdulkadir Adan, kryetari i një shërbimi lokal të ambulancës, në Twitter tha se sulmi ndodhi përpara një shkolle në rrethin e Hodanit, duke vrarë dhe plagosur nxënës dhe civilë aty pranë.

Grupi terrorist Al-Shabaab, i lidhur me Al-Kaedën me bazë në Somali, mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ka shënjestruar një autokolonë të misionit AMISOM.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb