“Një emër, Gjergj e kish, si diellin” ka qenë aktiviteti artistiko-kulturor i organizuar nga Bashkia Gjirokastër me rastin e 556-të vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Ekspozita pikture, fotografike dhe një koncert artistik ishin pjesë e këtij aktiviteti që u mbajt në Memorialin e Skënderbeut në zonën e Pazarit karakteristik të Gjirokastrës dhe bëri bashkë vizitorë vendas e të huaj. “Skënderbeu është një nga figurat më të preferuara shqiptare. Kam lexuar libra për figurën e tij dhe më kanë bërë shumë përshtypje. Figura e tij është madhështore dhe ju keni të drejtë të jeni krenarë për të.”, tha një turiste.

Ndërkohë, drejtori i Kulturës në bashki, Kudret Alikaj tha se; “Është një rast shumë i mirë që ky altoreliev ku zhvillohet sot aktiviteti të kthehet në një pikë te vizitueshme turistike.”. Vend të veçantë zuri ekspozita e hapur në Bibliotekën “Apostol Meksi” ku u ekspozuan të gjitha botimet për figurën e Skënderbeut, pjesë e kësaj biblioteke. Kujtojmë se heroi ynë kombëtar është ndarë nga jeta në 17 janarin e vitit 1468, në Lezhë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb