Sot shënohet dita e 38-të e protestës qytetare para godinës së Kryeministrisë, një lëvizje që prej më shumë se një muaji ka mbajtur të mobilizuar qytetarë nga Tirana, rrethet dhe diaspora.
Edhe këtë pasdite, protestuesit pritet të mblidhen sërish në bulevard për të vijuar atë që tashmë është kthyer në protestën më të gjatë dhe më të qëndrueshme të viteve të fundit. Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër kastës politike, me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të sistemit politik.
Gjatë protestës së djeshme, qytetarët përsëritën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Shqipëri e re” dhe “Atdheu është i yni”, ndërsa organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë çdo ditë deri në largimin e kryeministrit.
Në podium u mbajtën edhe një sërë fjalimesh nga aktivistë dhe qytetarë. Mes tyre ishte edhe Nëna Liza, e cila rikujtoi protestat e “5 Majit” dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa një tjetër protestuese bëri thirrje për ruajtjen e karakterit paqësor të lëvizjes, duke theksuar se shmangia e dhunës është kusht për arritjen e objektivave të saj.
Momenti më emocional i tubimit ishte fjala e nënës së aktivistit Arbër Lleshaj, e cila foli për arrestimin dhe, sipas saj, dhunimin e të birit gjatë protestave të javës së kaluar. Ajo deklaroi se ngjarja e ka bërë edhe më të vendosur për të qenë çdo ditë në protestë.
Organizatorët kanë përsëritur se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa qytetarët pritet të rikthehen sërish këtë pasdite para Kryeministrisë për të vijuar protestën në ditën e saj të 38-të.
Protesta e 37-të
